Një Musa dhe shumë Boybacarë?

Përse shumë ish-të mitur detyrohen të lënë Francën, edhe kur janë duke ndjekur kurse profesionale për të cilat tregu i punës ka shumë nevojë?

Musa mund të quhet vërtet fatlum. Ai u pajis me një kontratë “I rritur i Ri” nga Këshilli Departamnetal pas mbushjes së moshës madhore. Shumë Të Mitur të Pashoqërur (MNA) ndjekin madje kurse profesionale për mësimin e një mjeshtërie të caktuar, në profesione për të cilat tregu i punës në Francë ka shumë nevojë. Të tjerë kanë gjetur punëdhënës të gatshëm për t’u ofruar kontrata pa afat, që është edhe tipi më i lakmuar i kontratës në tregun e punës. Por as kjo nuk i ka ndihmuar : dhjetëra prej tyre kanë marrë refuzimin e kërkesës për të qendruar në Francë, nga ana e prefekturës, shoqëruar me Detyrimin për të Lënë Territorin Francez (OQTF). Në Meurthe-et-Moselle, janar 2021, Rrjeti Edukim Pa Kufinj, (RESF) identifikoi 70 të rinj në kushte të tilla.

“Problemi kryesor për këta të rinj mbetet mospajisja me dokumente gjë që i pengon të ndjekin formimin e tyre profesional ose që të punojnë, edhe me garancinë zyrtare të një kontrate pune, pasi kanë mbushur 18 vjeç », -shpjegon Johan Chanal nga RESF 54. “Përsa i përket mbrojtjes nga ana e Këshillit Departamental, edhe pse ajo vazhdon shpesh edhe për disa javë apo muaj, për disa të rinj (e shumta deri në 21 vjeç), shumë herë kjo mbrojtje rresht ditën që bëhen madhorë. Atëherë, shumë prej tyre nxirren në rrugë me, si bagazh, vetëm një qese plastike mbushur me ndonjë rrobë ».

Rreth 17 000 fëmijë, më se shumti nga Guineja, Mali dhe Côte d’Ivoire, u deklaruan si MNA në Francë, sipas nje raporti informimi për Komisionin e Ligjeve, publikuar në mars 2021 në Asamblenë Kombëtare.

Boybacar

Pikërisht kësaj i druhet Boybacar, njëri prej anëtarëve të kolektivit ACTION LES JEUNES 54 ! i cili ka mbërritur para 3 vjetësh në Francë, duke kaluar nëpër dhjetëra peripeci.

« U nisa nga Afrika me xhaxhain tim dhe në fillim shkuam në Itali. Por unë kisha shumë vështirësi me gjuhën italiane. Ndaj vendosëm të vija në Francë. Doja të shkollohesha dhe të merrja një profesion për të përmirësuar jetën time. Dua thjesht të punoj sepse në vendin tim nuk ka punë. Dhe, mbi të gjitha, jemi shumë të varfër ».

 Në Francë, pas muajsh të tërë në një qendër, në pritje të përcaktimit nga ana e gjykatësit nëse ishte i mitur apo jo, Boybacar më në fund u njoh zyrtarisht si i tillë dhe u lejua të rregjistrohej në shkollë. Tani është duke kryer një kurs formimi profesional si murator, një mjeshtëri në nevojë për krahë pune në Francë. Por, këtë vit ai ka mbushur 18 vjeç dhe ka marrë një refuzim të kërkesës së tij për të qendruar ligjërisht në këtë vend. Kjo është arsyeja pse është anëtarësuar tek ACTION LES JEUNES 54 ! « Vij këtu që të jem bashkë me të tjerë të rinj, që të ndryshoj idetë, ambjentin. Gjendja ime është shumë e vështirë, ashtu si e të tjerëve ndaj përpiqemi të motivojmë njëri-tjetrin. Njëkohësisht, vij për të marrë këshilla, për të pasuruar dhe nxitur dosjen time për rregullarizim në Francë, për të lehtësuar përpjekjet administrative. Eshtë më e lehtë kur bëhemi bashkë, kemi ide dhe energji. Ne duam të punojmë dhe të kontribuojmë në zhvillimin ekonomik të vendit. Po për ta bërë këtë, duhet që të rregullarizohemi ».

 Shqip Grupi i të rinjve ACTION LES JEUNES 54! gjatë një prej aktiviteteve në sheshin Stanislas, Nancy, Meurthe-et-Moselle, mars 2021.

Foto sipër: Foto nga Daan Stevens në Unsplash

Një histori dhe mijëra të tjera

Rreth 17 000 fëmijë, më se shumti nga Guineja, Mali dhe Côte d’Ivoire, u deklaruan si MNA në Francë, sipas nje raporti informimi për Komisionin e Ligjeve, publikuar në mars 2021 në Asamblenë Kombëtare nga dy raportues ; njëri nga La République en Marche dhe tjetri nga Republikanët.

« Pritja e këtyre të miturve në tokën franceze është një detyrë njerëzore. Ajo duhet të organizohet nga shërbimet publike në respekt me të drejtat themelore të fëmijës, të siguruara nga Konventa Ndërkombëtare e Të Drejtave të Fëmijëve, ratifikuar nga Franca dhe në përputhje me interesin më të lartë të fëmijës. Nocion të cilin Komisioni Kushtetues e ka nxjerrë së fundmi nga paragrafët e 10-të dhe të 11-të të Preambulës të Kushtetutës së vitit 1946 », - shkruhet në raportin e këtij misioni informimi.

Edhe pse janë në formin profesional e sipër ose kanë gjetur punë, Rrjeti Edukim Pa Kufinj, (RESF) identifikoi 70 të rinj që morën refuzimin e kërkesës për të qendruar në Francë, nga ana e prefekturës, në Meurthe-et-Moselle, janar 2021.

 Por, në praktikë, gjërat janë më të ndërlikuara. Kur një i huaj vjen në Francë dhe deklaron se është i mitur dhe i pashoqëruar (MNA), para se ai të merret në kujdes nga Kujdesi Shoqëror për fëmijët (ASE) dhe të përfitojë nga të drejtat e tij, duhet që Gjykatësi i të Miturve të deklarojë se bëhet fjala vërtet për një të mitur dhe jo për deklarata false. Eshtë një procedurë që shpesh zgjat me muaj të tërë, siç e dëshmon më herët Musa et Boybacar, une période pendant laquelle aucune scolarisation n’est proposé ; et pendant laquelle on peut facilement sombrer dans la victimisation et délinquance.

Një argument që citohet gjerësisht në deklarata publike e për të cilin raporti i sipërcituar i Asamblesë Kombëtare, me objekt MNA keqbërës, bën referenca të shpeshta. Aq të shpeshta saqë UNICEF France iu kundërpërgjigj menjëherë me një deklaratë shtypi botuar në 10 mars 2021, titulluar «Një raport parlamentar shqetësues për Të Miturit e Pashoqëruar».

« Gjithnjë duke njohur mungesën e statistikave të qendrueshme, raportuesit grumbullojnë fakte pak objektive në lidhje me pjesën e « gjoja të miturve » të pretenduar. Të kapur pas këtij konstatimi, ata propozojnë përgjithësimin e mjeteve të kontrollit si të dhënat biometrike, detyrimi për të dhënë shenjat e gishtave, bashkëpunimi policor me vendet burim, vlerësimin e miturisë përgjatë mbajtjes në vëzhgim…, pa pyetur për ndikimin e këtyre masave mbi të drejtat e fëmijës – çështje ndërkaq e ngritur nga shumë organizata të pyetura… UNICEF France kujton që MNA janë fëmijë në rrezik sipas nenit 375 të Kodit Civil. Ata duhen mbrojtur që nga çasti kur diktohen derisa të merret një vendim përfundimtar ».  

Medicins du Monde: Shumica e të miturve të pashoqëruar nuk kanë takuar mjek qëkur kanë mbërritur në Francë. 95% nuk kanë ansjë mbulim shëndetësor. Ata paraqesin të gjithë shenja të një shëndeti të përkeqësuar »

Një sfond që tremb

Supozime. Deklarata përgithësuese. Propozime edhe më të rrepta. Edhe pa ato që u hodhën publikisht këtë mars 2021, gjendja ishte dhe është ndërkaq e vështirë. Jo vetëm përsa i përket shkollimit, shoqërimit të mirëfilltë, mundësisë së shkarjes në pasivitet e ndoshta në krim. Por edhe në shëndetësi. Ndryshe nga ç’mund të mendohet, marrja e shërbimeve shëndetësore mes MNA është jashtëzakonisht e ulët, sipas Medicins du Monde. «Shumica e tyre nuk kanë takuar mjek që kur kanë mbërritur në Francë dhe 95% nuk kanë asnjë mbulim shëndetësor. Ata paraqesin të gjithë shenja të një shëndeti të përkeqësuar », - deklaroi organizata në një tribunë publikuar në 8 tetor 2020 ku denonconte gjendjen e rëndë të këtyre të miturve.

Konfliktet e vazhdueshme, padrejtësitë shoqërore, pabarazia e theksuar mes zhvillimit të vendeve, përqendrimi i pasurive vetëm në një pjesë të tyre, papunësia, dhuna, fatkeqësitë natyrore, janë shkaqet që rrisin çdo vit numrin e emigrantëve në botë. Mes tyre, miliona janë fëmijë. Sipas UNICEF, 2020, 12% e emigrantëve në botë janë të mitur (UNICEF, 2020).

Oxfam France : Më shumë se 68,5 millionë njerëz janë të detyruar sot të lënë shtëpinë e tyre për shkak të luftërave, urisë apo pasojave të ndryshimeve klimatike. Gjysma e tyre janë fëmijë.

Oxfam France, 2021, deklaron në faqen e saj zyrtare se fëmijët kanë një përqindje shumë më të lartë mes emigrantëve që detyrohen të largohen për shkaqe urgjente si uria, lufta apo ndryshimet klimatike. “Më shumë se 68,5 millionë njerëz janë të detyruar sot të lënë shtëpinë e tyre për shkak të luftërave, urisë apo pasojave të ndryshimeve klimatike. Gjysma e tyre janë fëmijë. Ky është numri më i lartë i rregjistruar nga Kombet e bashkuara që pas Luftës së Dytë Botërore ». Gati 35 milionë...

Mes këtyre miliona të miturve që kanë lënë dhe lënë përditë vendin e tyre, ata që udhëtojnë vetëm, pa familjen, janë padyshim pjesa më e trishtë e këtij mërgimi. Dhe, mes tyre, ata që kthehen mbrapsht, aty ku janë nisur, vetëm me një çantë të vogël dore, pas vitesh të tëra përpjekjesh të sinqerta për të prekur një ëndërr, janë pjesa që shkon përtej trishtimit…  (vazhdon)

Ky artikull është prodhuar si pjesë e projektit "Migrimi, Rinia dhe Interneti". Ai është shkruar nga Elda Spaho Bleta, vullnetare e grupit lokal Oxfam në Nancy, e cila i kushtoi shumë vëmendje informacionit të dhënë. Burimet e informacionit janë cituar dhe, kur jepen këshilla vetjake, kjo është përgjegjësi vetëm e redaktores. Nëse, pavarësisht vëmendjes së saj, një gabim ka ndodhur, ju lutemi raportojeni duke i shkruar asaj në nancy@oxfamfrance.org. Ky artikull është botuar me mbështetjen e fondeve të Agjensisë Franceze të Zhvillimit, Grand Est Solidarités et Coopérations pour le Développement (GESCOD) dhe me mbështetjen e Oxfam Francë. Përmbajtja e artikujve nuk përfshin strukturat e sipërpërmendura.

Lini një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

sqAlbanian