Ornela: Kur rrugët e jetës kryqëzohen me mërgimin

Me dy fëmijë të vegjël në krahë dhe me burrin e saj, kjo e re ka përjetuar gjithçka: refuzimin e të atit, mërgimin e përsëritur, jetën në rrugë, gëzimin e punës së parë (në të zezë), frikën nga policia. Megjithatë, kuzhinierja shqiptare këmbëngul duke buzëqeshur: Kur gjërat nuk shkojnë mirë, bëj një ëmbëlsirë dhe, më pas, çdo gjë bëhet pak më mirë”.
 Nga Suzie Holt, studente e Shkencave Politike, Nancy, Francë.
Redaktore Elda Spaho Bleta
Përkthimi në anglisht dhe në shqip, nga origjinali në frëngjisht, nga Elda Spaho Bleta
Auteur de l'article, Suzie Holt Photo credit Anastasia PAPADOPOULOS
Autorja e artikullit, Suzie Holt
Photo credit
Anastasia PAPADOPOULOS
Në foton e mësipërme: Ornela dhe fëmijët e saj. Foto nga Anastasia PAPADOPOULOS

"Nuk më pëlqen t'u kërkoj njerëzve të më ndihmojnë. Jam shumë e zhgënjyer prej tyre..." Ornela* ia shqipton shpesh këtë frazë kujtdo që e pyet pse vazhdon pothuajse e vetme me procedurat e saj ligjore në Francë. Kjo e re 28-vjeçare u largua nga Shqipëria kur sapo kishte mbushur moshën madhore dhe prej 10 vitesh ka përshkuar rrugët e emigracionit. Njëkohësisht, duke ndërtuar jetën e saj familjare.

Fëmijëria e Ornelës, në një fshat të vogël shqiptar, karakterizohet nga autoriteti i një babai të cilin ajo e cilëson si "fanatik". Ai e pengon vajzën e vogël të vazhdojë shkollën kur ajo mbushi 13 vjeç. Më vonë, refuzimi i tij për të takuar bashkëshortin e saj të ardhshëm, me të cilin ajo ishte shumë e dashuruar “u pamë për herë të parë dhe kaq ishte! “, e shtyu Ornelën dhe bashkëshortin e saj të fshiheshin për të jetuar historinë e tyre të dashurisë. Së pari në Shqipëri, pastaj shumë më larg…

Arsyeja? “Familja e tim shoqi vuan nga një sëmundje e rëndë prej brezash, hepatiti B. Ai e ka trashëguar nga nëna e vet dhe më ka treguar që kur jemi njohur. Eshtë një sëmundje që nuk shërohet, qëndron në gjak dhe duhet kuruar për gjithë jetën. Babai im, madje edhe kushërinjtë e mi të largët, nuk donin që kjo "të hynte në shtëpinë tone, në fisin tonë", nuk donte që nipërit dhe mbesat e tij të mund ta kishin. Ai, të gjithë ata, iu kundërvunë ashpër lidhjes sonë."

Një frikë thuajse mitike shoqëron hepatitin B, sipas të cilës sëmundja transmetohet gjenetikisht ngaqë, në të vërtetë, ajo kalon lehtësisht nga një brez në tjetrin. E njëjta frikë gjendet kudo, jo vetëm në familjen e Ornelës. “Sipas një ideje të paraformuar, hepatiti B është ‘i trashëgueshëm’, pasi disa breza të së njëjtës familje mund të preken nga sëmundja”, – deklaron “Fondacioni i Hepatitit B” në faqen e tij zyrtare www.hepb.org1.

Një frikë e kotë sepse, "megjithatë, hepatiti B nuk është një sëmundje gjenetike: ai shkaktohet nga një virus që shpesh transmetohet, aksidentalisht, midis anëtarëve të së njëjtës familje, në lindje nga nëna tek fëmija, ose nga gjaku. Familjet kanë fuqinë për të thyer këtë rreth vicioz duke u testuar, vaksinuar dhe trajtuar”1. Dhe këtë bëri Ornela: shtatzënë, ajo bëri shumë vizita mjekësore për të parandaluar dhe kontrolluar transmetimin e hepatitit B. Me sukses; asnjë nga fëmijët e çiftit nuk e mori virusin.

Një histori dashurie, por jo vetëm

Ata u martuan në moshën 18-vjeçare, pak muaj para lindjes së djalit të tyre. Duke udhëtuar nga një qytet shqiptar në një tjetër, nga fshati në fshat, Ornela nënvizon një destabilitet të përhershëm që bëhet për të “shumë i vështirë ekonomikisht dhe emocionalisht ». Familja e sapokrijuar nuk ka burime të qëndrueshme, as shtëpi dhe as lidhje të vërteta familjare me të afërmit e Ornelës. Gjë që i shtyn të largohen nga vendi në vitin 2015. “Familja ime, madje edhe kushërinjtë, e ngacmonin bashkëshortin kudo, për shkak të martesës sonë. Jeta iu bë shumë e vështirë. Për të dy ne u bë shumë e vështirë dhe e mërzitshme. Ndërronim shpesh banim për shkak të kësaj atmosfere armiqësore, por Shqipëria është një vend i vogël. Dhe mbi të gjitha, shpërnguljet e vazhdueshme na e vështirësuan shumë gjendjen ekonomike”, - thotë ajo.

Dhe, ja ku janë, duke u larguar nga vendi në vitin 2015, ende të vendosur për të jetuar jetën e tyre në çift.

Kur mbërrijnë në Hamburg të Gjermanisë, çifti ka në krahë një vajzë dy javëshe dhe një djalë një vjeç e gjysmë. Është frika ajo që ndiejnë së pari dhe, më pas, vetmia kur, në aeroport, rreth tyre dëgjojnë vetëm gjermanisht ose anglisht. Dy gjuhë që nuk i njohin fare... Megjithatë, ata nuk janë krejtësisht të vetëm pasi në vitin 2015 Gjermania përjeton një valë emigracioni nga vende të ndryshme, përfshirë edhe Shqipërinë. Kështu Ornela dhe familja e saj bëjnë pjesë mes 1.1 milionë emigrantë që qeveria gjermane regjistroi atë vit. Ata jetojnë në një shtëpi për një vit, para se të largohen, nga frika e dëbimit. Nuk kishin mundur të pajiseshin me dokumente qendrimi...

Pasi kthehen dhe kalojnë një vit në Shqipëri, është pikërisht në Nancy, Francë, ku ata lëshojnë valixhet në vitin 2017.

 Ata gjejnë njëfarë stabiliteti kur strehohen në Faron, një ish-kazermë ushtarake, pranë Nancy-t, që tani përdoret për strehimin e azilkërkuesve. Ndërkohë që familja sërish ka një çati mbi kokë, kushtet e jetesës në Faron, sipas Ornelës, nuk janë aspak të mira. “Ishim kërkues azili. Fillimisht na vendosën për 3 muaj në kazermën e Faronit. Ishim me dhjetëra që jetonim së bashku, në një tendë. Nuk kishte shtretër, ne flinim në shezllone. Dhe kishte buburreca, çimka... Djalin tim e kafshuan shumë, iu bë një plagë e madhe, por nuk donin ta çonin në spital sepse “ nuk keni ende sigurim shëndetësor”. Pastaj na vendosën në një qendër CADA (Qendra Pritëse për Azilkërkuesit). Pas 7-8 muajsh, kërkesa jonë për azil u hodh poshtë, kështu që duhej të largoheshim nga qendra. Unë kisha bërë një shoqe gjatë qëndrimit tonë në kazermën Faron. Ajo ishte më me fat se ne. E kishin strehuar në një apartament. Na futi brenda për dy muaj. Por nuk mund të qëndronim më gjatë, ishte shumë t’ja kërkonim një gjë të tillë. Kështu që menduam të ndryshonim qytet, ndoshta në një tjetër mund të na ofronin strehim. Shkuam në Rennes”.

La fille d'Ornela avec un des gateaux de sa mere Photo credit Anastasia PAPADOPOULOS
Vajza e Ornelës me një nga ëmbëlsirat e nënës së saj Photo credit Anastasia PAPADOPOULOS

Ata janë 4 në rrugë

Në këtë qytet të madh, ata nuk njihnin askënd. Dyert e institucioneve ku trokitën, iu mbyllën shumë shpejt. Gjithmonë kjo e famshmja "jo" si përgjigje. Tani ishte koha për të marrë rrugët… ku ata jetuan për dy muaj të tërë. Me foshnjat dhe frikën e tyre. Dhe me shpresat e tyre.

 "Ishte e tmerrshme. Kisha shumë frikës, gjithë kohën. Natën, ne ruanim fëmijët, se mos u ndodhte ndonjë gjë, ndaj nuk flinim fare". Këto janë fjalët që përmbledhin 2 muaj të jetës së Ornelës, të cilat i kaloi në rrugë me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre të vegjël. Ajo e kujton këtë kohë si diçka shumë të dhimbshme, mbushur plot frikë dhe me pasiguri të përhershme. Dhe plot me vetmi të madhe. "Askush nuk na ndihmonte." Është vetmia ajo që shënjon historinë e mërgimit të Ornelës. Ajo nuk e braktis kurrë, si një anëtar i pestë i familjes.

Më në fund, pas dy muajsh jete në rrugë, bashkëshorti gjen një shok që jeton në Nancy dhe që u ofron strehim në shtëpinë e tij të thjeshtë. Ata jetojnë aty edhe dy muaj të tjerë. Ende pa dokumente, të papunë. Situata është e dëshpëruar dhe çifti është gati të kthehet në Shqipëri, duke e ditur shumë mirë se ngacmimet nga familja do të jenë sërish aty, të shumta. Dhe mundësitë e punës do të jenë të pakta. Vetëm dëshpërim dhe mjerim ka në horizontin e tyre të brishtë. Ata janë vetëm, pa ndihmën e ndonjë punonjësi social dhe mbijetojnë falë pak parave që u ka dërguar babai i bashkëshortit. Për më tepër, tani që procedurat e azilit kanë përfunduar, ata jetojnë me një pasiguri të re ; ajo e kapjes dhe e dëbimit nga policia... Pas 2 muajsh të kaluar në këtë frikë të përhershme, një tjetër arsye e rëndësishme shtohet dhe sjell rikthimin e tyre në Shqipëri: është babai i bashkëshortit të Ornelës. Ai vuan shumë nga një sëmundje e rëndë.

Kthimi në Shqipëri

Kështu, vendimi përfundimtar merret dhe, në nëntor 2018, familja e re kthehet në vendlindje, në Shqipëri. Fëmijët e Ornelës e kujtojnë mirë dhe më tregojnë për kafshët që mbarështonte gjyshi i tyre. Madje, vajza e vogël kujton qartë një festë tradicionale: një byzylyk gërshetuar me fije kuq e bardhë, që zbukuron kyçet e vajzave të reja, kur vjen Dita e Verës, një festë e kthimit të pranverës që festohet çdo 14 mars në Shqipëri. Një javë pas kësaj, byzylykët varen në pemë ose në shkurre trëndafilash në mënyrë që zogjtë, veçanërisht dallëndyshet, t'i marrin.

Megjithatë, ky rikthim në burim nuk përshkohet vetëm nga miqësia dhe festimet, por edhe nga kundërshtimi i prerë i babait të Ornelës për ta parë apo për të folur me të.

“Nuk më dëgjoi para dasmës, tani që është në mes të problemeve, le t’i zgjidhë vetë, me burrin që zgjodhi”.

 “Nuk e kuptoj. Unë e dua shumë, por ai...” (ajo qan). Më pas ata nisen drejt Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë, por duhej të ndryshonin qytet sepse Tirana ishte shumë e madhe për ta dhe nuk gjetën punë. Ndërkaq, janë gjithnjë të papranuar nga familja e saj, ende shumë të varfër. Pa asnjë shpresë punësimi. “Kur u kthyem në Shqipëri, ishte fundi i vitit 2018. Qëndruam një vit e 4 muaj në vendin tonë. Asnjë nga ne të dy nuk gjeti punë dhe fëmijët tanë po rriteshin. Provuam gjithçka, por pa rezultat. Kështu, në mars 2020, u kthyem në Francë”.

Me dy fëmijë të vegjël në krahë dhe me burrin e saj, kjo e re ka përjetuar gjithçka: refuzimin e të atit, mërgimin e përsëritur, jetën në rrugë, gëzimin e punës së parë (në të zezë), frikën nga policia. Megjithatë, kuzhinierja shqiptare këmbëngul duke buzëqeshur: Kur gjërat nuk shkojnë mirë, bëj një ëmbëlsirë dhe, më pas, çdo gjë bëhet pak më mirë”.

Franca, edhe një herë...

Në mars 2020, familja e mban frymën në Mancy, pak ditë para fillimit të izolimit të parë në Francë, pas pandemisë Covid-19. Përsëritet e njëjta skemë si në vitin 2017 ; fillimisht duhet të jetojnë 7 muaj në kazermën e Faronit, ende në të njëjtat kushte të vështira dhe të pashëndetshme. Kur i largojnë nga kazermat, kjo nuk është sinonim i çlirimit; Ornela dhe familja e saj jetojnë për gati një vit e gjysmë në një qendër për azilkërkuesit. Edhe pse duket si fjalë pushimesh, kjo jetë është shumë larg nga të qenurit i qetë, duke pasur parasysh “kontrollet e përditshme nga ana e personelit të qendrës. Dhe jam ende e tronditur nga trajtimi që na bënë; dosja që kishim përgatitur për Sigurimet Shëndetësore, zvarritej pa fund. Si azilkërkues në Francë, ne mundëm të kishim mbulim shëndetësor vetëm dhjetë muaj më vonë. Punonjësja e tyre sociale, e cila duhej të na ndihmonte, nuk na dha në kohë as fletët e thirrjes së postës, për përgjigjen zyrtare në lidhje me kërkesën tonë për azil. Ajo na i dha këto fletëthirrje disa javë më vonë, kështu që, kur shkuam në postë, zarfet tona ishin zhdukur. Besojmë se bëhej fjalë për përgjigjen negative nga OFPRA (Zyra Franceze për Mbrojtjen e Refugjatëve dhe të Personave Pa Shtetësi). Kështu, ne humbëm dy herë mundësinë e një apelimi, ndaj këtij vendimi, përpara Gjykatës Kombëtare të Ligjit për Azilin (CNDA) në Paris. Nuk e apeluam do këtë vendim. Si mund ta bënim, pa patur në dorë vendimin zyrtar? Në qendër, thjesht na thanë se kërkesa jonë për azil ishte hedhur poshtë ndaj ne të katër duhej të largoheshim. Pavarësisht se këto vendime zyrtare nuk i pamë kurrë me sy dhe as i patëm kurrë në duar. Fëmijët tanë ishin shumë të vegjël, por gjithsesi, na u desh të largoheshim në nëntor 2021 sepse nuk donim që policia të na detyronte të dilnim. E gjithë kjo ma tronditi jashtëzakonisht shumë besimin tek të tjerët dhe më ka lënë ende shumë të dobët”, – kujton Ornela. 

Të pavarur, por "në të zezë"

 Që nga nëntori 2021, familja ka mundur të gjejë, në mënyrë të pavarur, një apartament të vogël me një dhomë gjumi. Ornela thekson përmirësimin e dukshëm të strehimit të tyre: “Është më qetë se në hotel, pastër, nuk ka insekte”. Duket sikur të gjitha problemet që lidhen me strehimin janë zhdukur, megjithëse ajo nënvizon: “është pak i vogël për ne të katërt”. Gjithsesi, edhe pse gjithë familja ka vetëm një dhomë gjumi për të fjetur, ky apartament i vogël është përkufizimi më i afërt i togfjalëshit "tek ne" nga çdo vend tjetër ku ata kanë jetuar gjatë dhjetë viteve të fundit. Tani, fëmijët mund të shkojnë në shkollë, marrin pjesë në aktivitete sportive dhe janë të integruar mirë. Ata madje do të shkojnë në një kamp pushimesh dhe mezi presin. Përsa i përket Ornelës dhe bashkëshortit të saj, të dy kanë mundur të gjejnë punë në shkurt-mars 2022. Në të zezë, sigurisht, pasi ende nuk janë pajisur me dokumente në Francë. Ajo punon për një restorant dhe ai për një punëdhënës turk ndërtimi. Për Ornelën, puna në restorant duket thuajse e vetëkuptueshme, sepse ajo e quan një terapi të vërtetë dhe vaktin e përbashkët si një çast të vërtetë gëzimi: “Kur gjërat nuk shkojnë mirë, bëj një ëmbëlsirë dhe më pas është çdo gjë bëhet pak më mirë”,- qesh ajo. Të dy bashkëshortët tregojnë një dëshirë të vërtetë për të punuar me ndershmëri, diçka për të cilën janë shumë të gëzuar, edhe pse e ushtrojnë në mënyrë të paligjshme. Për sa i përket dokumenteve, Ornela ka mundësi që të marrë më vonë një premtim punësimi nga punëdhënësi i saj. Ai është shumë i kënaqur me të, por ngurron sepse punësimi i të huajve mbetet një procedurë e ndërlikuar në Francë. As vetë Ornela nuk duket se di më shumë për këto procedura pasi nuk mund të gjejë shumë informacione të kuptueshme. “Mungesa e informacionit të kuptueshëm, të thjeshtë për t'u kuptuar, të lehtë për t'u marrë, është një problem i madh për ne të huajt në Francë. Kjo na pengon shumë që të njohim procedurat administrative për t'u integruar më mirë këtu”.

 Gjendje e vështirë, po. Por familja është e vendosur të ndërtojë një të ardhme të vërtetë në Francë, duke punuar dhe mësuar. Dhe, sapo të bëhet premtimi i punës, Ornela do t'i kërkojë ndihmë Secours Catholique Caritas. Ekipi i tyre për emigrantët, i ka ofruar tashmë ndihmë për të hartuar një dosje e për t'ia paraqitur prefekturës.

Eshtë pikërisht falë kësaj dëshire për integrim që Ornela dhe familja e saj po përparojnë pak nga pak. Ata paguajnë vetë faturat e tyre, pa ndihmë nga jashtë, falë rrogës që marrin duke punuar çdo ditë. Ornela dëshiron t'u japë fëmijëve të saj një jetë më të mirë dhe është gati të sakrifikohet. "Nëse nuk kam asgjë për vete, nuk ka rëndësi. Më të rëndësishmit janë ata". Dhe pastaj, ata buzëqeshin. Shumë. Ornelën nuk e shohim një herë të pikëlluar. Ajo buzëqesh. Fëmijët dhe burri i saj gjithashtu. Me gjithë vështirësitë e shumta që tashmë kanë ose do të hasin, të katërt buzëqeshin dhe, ajo që duhet mbajtur mend nga kjo familje, përtej betejës së rrezikshme, është një ndjenjë mikpritjeje shumë e zhvilluar. Dhe nëse pyesni veten se nga vjen kjo dritë e ngrohtë, mos harroni se emri “Ornela” do të thotë “shkëlqimi i diellit”.

*Emri është ndryshuar për të mbrojtur identitetin e personit.

Burimet:

1 Hepatitis B foundation. Informations générales.Qu’est-ce que l’hépatite B ?

https://www.hepb.org/languages/french/general-information/

Ky artikull është prodhuar si pjesë e projektit “Të vijmë së bashku, të rrëfehemi, të mobilizohemi”, një partneritet midis platformës së informacionit PRO IDE dhe Secours Catholique Caritas Hauts de Lorraine, me mbështetjen financiare të kësaj të fundit. Ai u shkrua nga Suzie Holt, studente në universitetin e Shkencave Politike në Paris, kampusi i Nancy-t, vullnetare (2022) me Secours Catholique Caritas Hauts de Lorraine, dhe u redaktua nga Elda Spaho Bleta, gazetare, themeluese e PRO IDE. Burimet e informacionit citohen dhe kur jepet një mendim vetjak, ai angazhon vetëm autoren. Përmbajtja e artikujve nuk përfshin strukturat e përmendura më parë.

Lini një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

sqAlbanian
Verified by MonsterInsights