Edona: Për 51 euro më pak…

Kam para meje një grua të dhunuar, të përdorur, të izoluar, të mbizotëruar nga turpi dhe faji, e cila përpiqet të vazhdojë të buzëqeshë, pavarësisht nga fatkeqësitë e mbajtura sekret nga të tjerët. Por, kur e pyes nëse ëndërron të punojë, ajo përgjigjet e gëzuar "Po, po, po!"
Shkruar në frëngjisht nga Anastasia Papadopoulos, studente,Universiteti i Shkencave Politike, Nancy. 
Redaktore dhe përkthyese në shqip Elda Spaho Bleta 
Autorja e artikullit, Anastasia Papadopoulos. Foto nga Athénaïs LACHAT. Në foton e mësipërmeEdona, një emigrante shqiptare, rrëfen jetën e saj të vështirë në Francë. Foto nga Anastasia PAPADOPOULOS

“Covid-19 zbuloi fytyrën e vërtetë të njeriut për të cilin hoqa dorë nga gjithçka”. Në moshën 56-vjeçare, Edona1 vendosi të largohej nga vendlindja për t'u bashkuar me bashkëshortin e saj, i cili jetonte dhe punonte legalisht në Francë prej vitesh. Vendimin, mbi te gjitha, e mori për t’i siguruar një jetë normale familjare djalit te saj 13-vjeçar, me të cilin u largua nga Shqipëria. Ishte viti 2017. Pas një rrugëtimi të vështirë, pa vizë por me shumë shpresa, ligjesimi nuk vjen. Per pasoje, ajo nuk mund të punojë në Francë, në nje qytet te vogël diku në Grand Est, ku jeton me familjen. “Çdo fije floku në kokën time përfaqëson sa herë jam penduar që kam ardhur këtu”,- shton Edona.

Burimi i pendimit të saj? Së pari, sepse ka 5 vite në Francë dhe ende nuk eshte pajisur me dokumente, për shkak se i mungon një e ardhur mujore prej 51 eurosh. Së dyti, sepse zbuloi një bashkëshort dhunues ...

Një udhëtim sfidues

Në vitin 2006 Edona martohet me një burrë nga Kosova, i cili prej disa vitesh punon si zejtar në Francë. Ajo ishte 45 vjeçe. Pas martesës, vendos të qëndrojë në Shqipëri. Burri i saj niset për në Francë, si gjithmonë. Por, për Edonën, nisja është e vështirë: ajo është shqiptare, ndaj i duhet vizë. Bashkëshorti fillon një procedurë bashkimi familjar, por kërkesa kundërshtohet në vitin 2009, për shkak të mungesës së mbështetjes së mjaftueshme financiare.

Në vitin 2007, një vit pas martese, ata vendosin të birësojnë një fëmijë, thuajse foshnje, nipin e tij 2-vjeçar. Nëna i kishte vdekur së fundmi dhe babai nuk ishte në gjendje të rriste. "Isha unë që propozova ta birësoja dhe ta edukoja. Kur e pashë fëmijën në atë gjendje, m’u thye zemra. Dëshiroja t'i jepja një familje," tregon Edona. Ky birësim nuk solli ndonjë ndryhsim të madh në jetën bashkëshortore: burri i saj vizitonte Shqipërinë një herë në vit, për disa javë, para se të kthehej në Francë për të punuar. Edona rriste e vetme djalin. Edhe pse gjendja e saj ishte larg të qenurit ideale, ajo nuk pranon të varet nga të ardhurat e burrit. Nuk mund ta pranojë varësinë ekonomike; ëndërron emancipimin dhe nuk ngurron të shesë fruta e perime në rrugë. “Kam punuar gjithë jetën dhe kam qenë e mirë në atë që bëja”, kujton Edona me krenari këtë kohë të jetës së saj. "Jam gati të filloj nga e para. Madje, mezi pres."

Megjithatë, pas shumë vitesh duke u rritur vetëm me nënën e tij, djali i vogël fillon të kërkojë "babushin". Vizitat vjetore të babait janë të pamjaftueshme për të. Përvec kësaj, ai fillon të kuptojë më mirë dhe ndihet i turpëruar nga thashethemet për familjen... Edhe nëna e tij vuan jo më pak. "Pse nuk bashkohesh me burrin e me djalin në Francë?", pyesin njerëzit vazhdimisht. E shtyrë nga i biri, nga opinioni publik dhe e lodhur nga pritja e pafundme, Edona vendos të hyjë e të qendrojë në mënyrë të parregullt në Francë në vitin 2017, bashkë me të birin. Me shpresa jo shumë të mëdha për miratimin e kërkesës së tyre për bashkim familjar. Refuzuar tashmë në vitin 2009. "Përveç kësaj, Franca nuk më tërhiqte. Procesi i rregullimit është jashtëzakonisht i vështirë. Këtë vendim e mora më shumë për djalin sesa për veten time", - tregon ajo.

Për vetëm 51 euro më shumë...

Procedura e bashkimit familjar në Francë kryhet sipas kritereve strikte. Sipas faqes së internetit të Ministrisë së Brendshme, një familje me dy ose tre persona, duhet të ketë pasur të ardhura minimale mujore në nivelin e një rroge minimale, (1,302,64 €), gjatë 12 muajve para aplikimit2.

Kërkesa e bashkëshortit të Edonës ndesh në refuzim prej vitesh, për arsye financiare. Me dosjen e tij në dorë, ku gjenden të gjitha kërkesat dhe vendimet zyrtare të marra ndër vite, lexoj që të ardhurat e tij ishin 1,251,33 € në muaj, duke rezultuar në një pamjaftueshmëri financiare prej 51,31 € për të përmbushur kriteret për bashkim familjar. Me pak fjalë, pavarësisht se djali i tyre është regjistruar në shkollë në Francë që nga viti 2017 dhe bashkëshorti ka leje qëndrimi, Edona dhe fëmija i saj mbeten të paligjshëm për shkak të një mungese prej 51 eurosh në muaj. Për ironi, ajo nuk mund të kontribuojë për të kompensuar këtë mungesë financiare, sepse askush nuk mund ta punësojë nëse nuk ka dokumente3. I famshmi rreth vicioz në Francë…

Edona n’est pas la seule à faire une demande de visa ; en effet, selon les données du ministère de l’Intérieur, c’est plus de 4 millions de demandes de visas qui ont été enregistrées en 2018. Malheureusement, elle fait partie des 674 789 visas refusés cette même année, gardant toujours l’espoir de faire partie un jour des chiffres des visas finalement délivrés en France[3].

Edona, një emigrante shqiptare, rrëfen jetën e saj të vështirë në Francë. Foto nga Anastasia PAPADOPOULOS

Dhunë dhe rebelim

Kur kriza Covid 19 godet Evropën dhe ndodh bllokimi mbarëbotëror, në 2020, Edona zbulon karakterin e vërtetë të bashkëshortit. Ishte hera e parë që ata kalonin kaq shumë orë nën të njëjtën çati, së bashku. Deri në atë moment, ai rrinte më së shumti jashtë dhe vinte në shtëpi vetëm për të ngrënë dhe për të fjetur. Por tani, ishte i detyruar të qëndronte brenda. Për më tepër, ata nuk kishin shumë para.

“U bë edhe më i përpiktë se zakonisht”, - kujton ajo. – “Unë as që duhej t'ia prekja gjërat. Kur ishim në kuzhinë, për shembull, ai donte t'i vendoste erëzat në vendin më të përshtatshëm për të. Kur i lëvizja, qoftë edhe disa centimetra, ai e kuptonte dhe fillonte të më godiste.” Burri nuk kishte qenë kurrë i dhunshëm ndaj saj përpara se ajo të shkonte në Francë. Por tani, ai e justifikonte këtë abuzim duke e fajësuar që nuk punon. Kjo dhimbje e bën Edonën të pendohet edhe më më thellë që është larguar nga vendi i saj, Shqipëria.

“Nuk më ke kërkuar kurrë falje! Duhet të më kërkosh falje”, i thotë Edona, ndërsa gjendet vetem, përballë meje. Kur, tashmë është tepër vonë. “Nuk kam qarë kurrë para burrit tim”, pranon ajo, pavarësisht se i vjen zor. Sytë nuk gënjejnë dhe i zbulojnë trishtimin, keqardhjen dhe dyshimet. Edhe pse kjo emigrante shqiptare duket e gëzuar dhe optimiste, sytë e saj janë mbushur me nostalgji e trishtim.

Burimi i vetëm i mbushjes me pak ajër është ecja, vetëm, jashtë shtëpisë. Gjendja brenda është e tensionuar. Në shtëpi, ajo qan në heshtje në krahët e djalit të saj.

Vetëm kur burri ngre dorën ndaj fëmijës së tyre, Edona gjen forcën dhe guximin për t'iu përgjigjur dhunës. Ajo pranon të telefonojë policinë, dhe, bashkë me djalin gjejnë strehim në një qendër grash të dhunuara. Por, para shëndetit të brishtë të djalit, i cili humbi shumë peshë në vetëm tre javë, ajo vendos të kthehet në shtëpi. Që nga ajo ditë, burri nuk e ka rrahur. Ishte hera e parë që Edona guxonte të ngrihej në këmbë dhe të thoshte "jo".

Dhuna në familje, sipas sociologut francez Daniel Welzer-Lang, është "përdorimi i pushtetit paralizues dhe shkatërrues me anë të të cilit një person i imponon një tjetri pikëpamjen e tij të jetës, duke e detyruar atë të heqë dorë nga të gjitha idetë dhe dëshirat që janë në kundërshtim me të tijat, dhe duke e penguar që të mendojë dhe të jetë vetvetja". Dhuna në familje, sipas tij, dallohet nga përdorimi i forcës dhe kërcënimit brenda njësisë familjare dhe mbrohet nga ndjenja e turpit dhe e fajit që ndjen viktima. Dhuna në familje mund të marrë shumë forma, duke përfshirë atë verbale, psikologjike, fizike, ekonomike dhe seksuale4.

Kjo dhunë fizike, verbale dhe ekonomike, është edhe më e rëndë për Edonën; Gjendja e saj si emigrante e paligjshme në Francë e bën edhe më të viktimizuar ndaj bashkëshortit, i cili e trajton si objekt. Pa mundësi për të punuar dhe për rrjedhojë për të siguruar të ardhura për vete, bashkëshorti është në kontroll të plotë të jetës së saj. Edhe pse nuk e rreh më, Edona mbetet e bllokuar në shtëpi dhe lufton për të lënë pas dhunën e rëndë psikologjike.

Shumë gra në Francë gjenden në të njëjtën gjendje; sipas sondazhit të Cadre de Vie et Sécurité (CVS), 102 gra vdiqën në vitin 2020 për shkak të goditjeve të partnerit ose ish-partnerit të tyre. 35% e tyre kishin qenë ndërkaq më parë viktima të dhunës nga partnerët e meparshem. Pandemia e Covid-19 përkeqësoi fenomenin: sipas anketës, 159,400 gra kanë qenë viktima të dhunës së ushtruar nga partneri i tyre në 2020, në Francë. Plot 10% më shumë se në vitin 20195.

Për më tepër, sipas të dhënave nga linja telefonike anonime kombëtare për gratë viktima të dhunës, 3919, shërbimi ka marrë 53,264 telefonata për dhunën ndaj grave në vitin 2020, një rritje prej 19% krahasuar me vitin 2019. 95% e këtyre telefonatave citojnë, si arsye, dhunën shtëpiake, përfshirë përdhunimin nga ana e partnerit6.

Po më pas? Djali i saj tashmë është 17 vjeç. Edona pret prej 5 vjetësh një përgjigje pozitive zyrtare që mund ta ligjësojë në Francë. Ajo bën rregullisht kurse të gjuhës franceze tek Secours Catholique Hauts de Lorraine, gjë që e ndihmon të integrohet dhe të takojë njerëz të rinj. Edona pranon se asgjë nuk e shtyn më të kthehet e të qendrojë në Shqipëri, pavarësisht keqardhjes së thellë mbi ikjen nga vendlindja, nga familja. Për më tepër, mundësia e presionit nga të tjerët, e frikëson së tepërmi. Ajo nuk mund të kthehet në Shqipëri ndërsa ende nuk është pajisur me dokumente. Kam para meje një grua të dhunuar, të përdorur, të izoluar, te mbizotëruar nga turpi dhe faji, e cila përpiqet të vazhdojë të buzëqeshë, pavarësisht nga fatkeqësitë e mbajtura sekret nga të tjerët. Por, kur e pyes nëse ëndërron të punojë, ajo përgjigjet e gëzuar "Po, po, po!"7.

Burimet


[1] *Emri është ndryshuar për të mbrojtur identitetin e personit.

[2] Ministère de l’Intérieur, Regroupement familial : https://www.demarches.interieur.gouv.fr/particuliers/regroupement-familial#:~:text=L’%C3%A9poux(se)%20ou,mineurs%20(moins%20de%2018%20ans)

[3] Ministère de l’Intérieur et des outre-mer, Direction générale des étrangers en France :Présentation / La Direction générale – Direction générale des étrangers en France – Ministère de l’Intérieur (interieur.gouv.fr)

[4] MANSEUR Zahia, Entre projet de départ et soumission : la souffrance de la femme battue, 2004 : Entre projet de départ et soumission : la souffrance de la femme battue | Cairn.info

[5] Ministère de l’Intérieur et des outre-mer, Les violences conjugales enregistrées par les services de sécurité en 2020 : Les violences conjugales enregistrées par les services de sécurité en 2020 | Ministère de l’Intérieur (interieur.gouv.fr)

 [6] Solidarité Femmes, 3919 : Fédération Nationale Solidarité Femmes | Appels au 3919 en 2020 : … (solidaritefemmes.org)

.

[7] Ky artikull u shkrua në qershor-shtator 2022. Gjatë përfundimit të kësaj pune, në shtator 2022, Edona mori më në fund lejen e parë të qendrimit nga ana e prefekturës.
*Ky artikull është prodhuar si pjesë e projektit "Të vijmë së bashku, të rrëfehemi, të mobilizohemi", një partneritet midis platformës së informacionit PRO IDE dhe Secours Catholique Caritas Hauts de Lorraine, me mbështetjen financiare të kësaj të fundit. Ai u shkrua nga Anastasia Papadopoulos, studente në universitetin e Shkencave Politike në Paris, kampusi i Nancy-t, vullnetare (2022) me Secours Catholique Caritas Hauts de Lorraine, dhe u redaktua nga Elda Spaho Bleta, gazetare, themeluese e PRO IDE. Burimet e informacionit citohen dhe kur jepet një mendim vetjak, ai angazhon vetëm autoren. Përmbajtja e artikujve nuk përfshin strukturat e përmendura më lart.

Lini një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

sqAlbanian
Verified by MonsterInsights