Kaltrina mbërriti në Francë si e nje mitur 16 vjeçe.  Foto nga Anastasia PAPADOPOULOS

Kaltrina: Fëmijë dhe i huaj, cili kriter mbizotëron?

Me të mbërritur në Francë, ajo plotëson disa kushte për marrjen e statusit: është vajzë, e mitur, e vetme dhe e sëmurë. Ajo vuan nga Blapharophimosis-Ptosis-Epicathus inversus (BPES), një gjendje e rrallë gjenetike që i deformon sytë. Pavarësisht kësaj, iu deshën të luftonte për 4 vjet për t’u pajisur me dokumente.
Nga Oriel Wagner, studente e Shkencave Politike, Nancy.

Përkthyese në gjuhën shqipe dhe redaktore, Elda Spaho Bleta
Autorja e artikullit, Oriel Wagner. Foto nga Anastasia PAPADOPOULOS Në foton e mësipërme: Kaltrina mbërriti në Francë si e nje mitur 16 vjeçe. Foto nga Anastasia PAPADOPOULOS

"Jam një njeri shumë i vendosur. Nëse dua diçka, luftoj për të." Sytë e Kaltrinës*, si gjithmonë stolisur me një vijë të mprehtë peneli, shkëlqejnë me vendosmëri. E megjithatë, marrja e të drejtës për të qëndruar në Francë vetëm që e lehtë nuk ishte për të. Në prag të rinovimit të lejes së qëndrimit, 21-vjeçarja shqiptare më tregon historinë e saj për herë të parë.

Pritja e pakushtëzuar e të miturve në Francë, një mit?

Kaltrina mbërrin në Francë më 11 shkurt 2017, në moshën 16-vjeçare. Ajo shoqërohet vetëm nga vëllai, i cili është në moshë madhore dhe niset pak më vonë drejt Gjermanisë për shkak se e ka të pamundur të jetojë e të punojë në Francë. Në këto kushte, Kaltrina është një e mitur e pashoqëruar (MNA në frëngjisht). Si shqiptare, ajo mund të lëvizë lirshëm brenda zonës Shengen dhe ka mundur të hyjë në Francë pa vizë. Tani, çështja është si të qëndrojë aty.

Një i ri quhet "i mitur i pashoqëruar" në një vend tjetër kur ai ose ajo është nën 18 vjeç dhe nuk shoqërohet nga një përfaqësues ligjor. Siç përcaktohet në Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, “çdo i ri që pretendon se është i mitur dhe i pashoqëruar duhet të mbrohet dhe për të duhet kujdesur në përputhje me dispozitat ligjore për mbrojtjen e fëmijëve”. Kështu, në sytë e ligjit, të miturit e pashoqëruar që hyjnë në një shtet tjetër, para se të jenë të huaj, janë fëmijë.

Sipas deklaratave të Senatit në Francë, dukuria është rritur në mënyrë “spektakolare” vitet e fundit. Sipas shifrave nga Asambleja e Departamenteve të Francës, në vitin 2020 “40,000 persona që paraqiteshin si të mitur kanë aplikuar për statusin e MNA”. Ky status sjell shumë mundësi (shkollim, aftësim profesional etj) për ata që u jepet dhe mund të jetë hapi i parë drejt ligjësimit. Por historia e Kaltrinës tregon të kundërtën.

Me të mbërritur në Francë, ajo plotëson disa kushte për marrjen e statusit: është vajzë, e mitur, e vetme dhe e sëmurë. Ajo vuan nga Blapharophimosis-Ptosis-Epicathus inversus (BPES), një gjendje e rrallë gjenetike që i deformon sytë. Pavarësisht kësaj, iu deshën të luftonte për 4 vjet për t’u pajisur me dokumente.

Refuzim pas refuzimi, mundimet e pritjes

E dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht nga njerka që në moshën 11-vjeçare, Kaltrina vuajti për shumë vite në Shqipëri, derisa tentoi vetëvrasjen. Pas kësaj përpjekje për t’i dhënë fund jetës, vëllai i saj i madh vendosi ta marrë me vete jashtë vendit, për ta mbajtur sa më shumë larg familjes. Ashtu si shumica e emigrantëve, Kaltrina vjen në Francë me shpresën për të gjetur një të ardhme më të mirë. Megjithatë ajo thotë se “4 vitet e para që kaloi në Francë, duke përjetuar refuzim pas refuzimi, ishin më të këqija se ato në Shqipëri”.

Meqë ishte e mitur e pashoqëruar, për Kaltrinën kujdeset Shërbimi për Shoqërimin e të Miturve të Huaj të Pashoqëruar (SAMIE në frëngjisht), në Nancy. Vajza, e cila nuk ka një përfaqësues ligjor, duhet të presë deri në moshën madhore për të aplikuar për azil. Gjendja e saj si MNA i jep të drejtën të qëndrojë në territorin francez pa një vërtetim të kërkesës për azil, deri në moshën 18-vjeçare.

Gjatë viteve të para, Kaltrina jeton në qendrën SAMIE, me fëmijë të tjerë si ajo. Pikërisht aty takon atë që do të bëhej shoqja e saj më e mirë, një vajzë armene, me të cilën është ende shumë e lidhur. Por aty përjetoi edhe refuzimin e saj të parë: ndërsa shumica e të rinjve të tjerë shkonin në shkollë, Kaltrina nuk i lejohet një gjë e tillë. Për të ndjekur shkollën, statusi i saj si MNA duhej të njihet zyrtarisht nga gjyqtari i të miturve. Ky proces zgjati disa vite dhe, me pak fjalë, ajo kurrë nuk e përfitoi. Kështu që Kaltrina nuk shkoi kurrë në shkollë gjatë fëmijërisë së saj në Francë. Ajo nuk arrin dot ta shpjegojë këtë kundërshtim të parë i cili i mbolli farat e një ndjenje padrejtësie, që do të vazhdojë të rritet në vitet në vijim. “Që në fillim të jetës sime, kisha përshtypjen se fati kishte diçka kundër meje”. 

Zhgënjimi i Kaltrinës rritet edhe më shumë kur aplikimi i saj për një Kontratë për të Rinjtë nuk pranohet. Kjo kontratë është një formë mbështetjeje për të miturit me vështirësi familjare, arsimore dhe psikologjike. Këta të rinj në Francë i besohen Kujdesit Shoqëror të Fëmijërise (ASE në frëngjisht), për të marrë mbështetje derisa të arrijnë moshën madhore. Ashtu si në rastin e refuzimit të shkollës, Kaltrina e ka të pamundur të kuptojë arsyet për këtë kundërshtim të dytë. Por, me sa duket, refuzimi i statusit të MNA shkakton “mungesë serioziteti në ndjekjen e një kursi trajnimi”, apo edhe atë të “një projekti profesional afatshkurtër”. Këto janë arsye e përsëritura për refuzimin e kontratës për të rriturit e rinj. Fakti që Kaltrina nuk ka shkuar në shkollë mund të jetë arsyeja për këtë përgjigje të dytë negative. Refuzimi i parë sjell të dytin dhe vajza e re është mbërthyer në një rreth vicioz.

Më 26 shtator 2019, Kaltrina mbushi 18 vjeçe. Problemi kryesor i të qenurit një MNA është se struktura përkatëse publike nuk mund të kujdeset për ty kur nuk je më zyrtarisht fëmijë. Ndaj, vajza e re nuk mund të qëndrojë më në SAMIE dhe vendoset në një apartament tip studio. Ajo paraqet shumë shpejt kërkesën për azil dhe, gjatë gjithë procedures, shoqërohet nga një punonjëse social.Tani fillon një lloj tjetër pritjeje...

Në të njëjtën kohë, ajo ka një qëllim të dytë të rëndësishëm: të bëjë një operacion për të zbutur gjurmët e sëmundjes shumë të rrallë gjenetike që prek sytë e saj. “Mbaja syze dielli gjatë gjithë kohës, edhe gjatë natës”, shpjegon ajo. Kaltrina ndjen nevojën e madhe për t’u operuar, për të zbutur këtë veçori estetike dhe shëndetësore, në mënyrë që të ndihet “normale”. Ndonëse në Shqipëri, bashkëmoshatarët nuk e kanë ngacmuar kurrë, përkundrazi e kanë mbështetur shumë, qendrimi në vendin e lindjes nuk i jepte asnjë mundësi për të kryer këtë operacion. Familja, tashmë në marredhenie te stresuara, nuk dukej gati për të paguar çmimin jashtëzakonisht të lartë të operacionit, aq më tepër që rezultatet ishin të pasigurta. Ndërhyrja mund të bëhej vetëm privatisht pasi sigurimet shëndetësore në Shqipëri, sipas saj, nuk e mbulonin. Duke qenë se është një sëmundje dhe operacion shumë i rrallë, çmimi i trajtimit ishte dhe mbetet përtej çdo mundësi përballimi në Shqipëri.

« Regarde les autres migrants, regarde-toi. Si tu as mal, c’est comme moi. C’est la même douleur à l’intérieur, c’est juste l’histoire qui change. »


Në Francë, deri para disa vitesh (gjatë kohës që Kaltrina donte të operohej), përparësia ishte se, gjatë procedurës së azilit, mbulimi shëndetësor universal (CMU) rimbursonte 100% të kostove shëndetësore. Edhe nëse përfituesi nuk ishte i pajisur me dokumente qendrimi dhe pune. Por edhe këtu refuzimi dukej si mallkim. Kaltrina shkoi tre herë në spital me të gjitha dokumentet e sigurimeve shëndetësore dhe të sigurimit shëndetësor shtesë.

Dhe tre herë kirurgu refuzon të kryejë operacionin, pa dhënë asnjë shpjegim. "Nëse do të më kishte thënë se nuk e njihte mirë rastin tim, do ta kisha kuptuar. Por ai nuk më shpjegoi asgjë. Nxorra përfundimin se ishte për shkak të racizmit,"- thotë ajo. Por Kaltrina nuk dorëzohet. Herën e katërt, nën presionin e një kolegeje mjeke, kirurgu më në fund pranon.

Ajo i kaloi të gjitha këto pothuajse e vetme, e shoqëruar vetëm nga shoqja e saj armene.

Dukej sikur jeta po kthehej në normalitet, kur një kundërshtim përmbys gjithçka: kërkesa e Kaltrinës për azil hidhet poshtë. “Ndihesha sikur qielli po më binte përsipër”,- kujton ajo. Në atë moment, vajza e re u ndje më e vetmuar se kurrë; për më tepër shoqja e saj më e mirë ishte zhvendosur në një qytet tjetër, në Chaumont. Për shkak të refuzimit, vetë Kaltrina duhej të linte studion ku banonte, për të jetuar përkohësisht nëpër hotele të paguara nga një qendër për Pritjen dhe Riintegrimin Shoqëror (ARS në frëngjisht). Pas operacionit, ajo mezi ia dilte të ecte për shkak se, për të kryer operacionin tek qepallat e syrit, i ishte marrë një ind nga këmba. Ky i fundit po i shërohej shumë ngadalë. Përveç kësaj, i duhet të mbajë sytë e fashuar dhe krejtësisht të mbyllur për dy javë. "Për fat shoqja ime më e mirë erdhi afër meje. E thirra dhe ajo qëndroi në hotel me mua për të më ndihmuar”. Por, pavarësisht ndihmës së shoqes, shërimi i Kaltrinës mbetet i ndërlikuar, pasi ajo vazhdon të zhvendoset në tre hotele të ndryshme brenda pak javësh. Në një kohë kur operacioni kërkon një gjendje të qëndrueshme, ajo duhet të jetojë në paqëndrueshmëri të plotë për javët në vazhdim.

Puna për të qëndruar në Francë

“Thellë brenda vetes e dija se, po të kthehesha në shtëpinë time në Shqipëri, do të vdisja”, - thotë Kaltrina kur kujton si u ndje ndërsa mori letrën zyrtare me Detyrimin për t'u Larguar nga Territori Francez (OQTF në frëngjisht), pas kundërshtimit të kërkesës së saj për azil. Ky vendim sërish lidhej me faktin se ajo nuk kishte shkuar asnjëherë në shkollë dhe as nuk kishte punuar në Francë. Bashkë me argumente të tjera: së pari, ardhja e saj në Francë, nuk mund të justifikohej me një arsye mjekësore, pasi operacioni do të ishte po aq i mundur në Shqipëri. Së dyti, Kaltrina nuk ishte vërtet në rrezik vdekjeprurës në vendin e saj të lindjes. Por më shumë se në rrezik fizik, vajza e re e gjente veten në shqetësime psikologjike. “Erdha në Francë sepse nuk doja thjesht të ekzistoja. Doja të jetoja”. Pas marrjes së këtij kundërshtimi të ri, ajo bie në depression të thellë.

Megjithatë, vullneti i saj i fortë e ngre në këmbë sërish. Kaltrina gjen rreth saj njerëz pozitivë, francezë, shqiptarë dhe të huaj, të cilët e ndihmojnë të shpresojë, të luftojë. Vajza e re fillon të kërkojë punë, së pari duke trokitur në dyert e fqinjëve. Pa sukses. Më pas ajo u drejtohet shoqatave që ndihmojnë emigrantët, duke përfshirë Secours Catholique Caritas Hauts de Lorraine. Atje, takohet me Filipin, përgjegjësin e ekipit të emigrantëve, i cili merr përsipër çështjen e saj: "Nuk do ta harroj kurrë, kurrë, kurrë. Me gjithë refuzimet që kisha pasur, të gjithë më thanë 'jo'. Ishte i vetmi që më dha pak dritë”.

Më 24 janar 2021, falë punës së Filipit dhe anëtarëve të tjerë të Secours Catholique, Kaltrina pajiset me leje qëndrimi në Francë. Ky dokument i rinovueshëm çdo vit, i jep mundësinë për të punuar. Vajza e re sot studion në një shkollë hoteliere dhe është e punësuar në një restorant**. Ajo është e pavarur, më në fund. "Nuk dua që të tjerëve t’u vijë keq për mua. Kështu ka qenë gjatë gjithë jetës sime. Nuk dua më",- thotë ajo.

"Pas gjithçkaje që kam kaluar, tronditem kur shoh që jam ende gjallë". E megjithatë ja ku është, përballë meje, më e gjallë se kurrë. Ajo ia ka dalë falë vullnetit të saj të hekurt dhe mbështetjes së shumë njerëzve që e kanë parë dramën e saj, por po ashtu edhe vullnetin për të jetuar. Po ashtu edhe falë aftësisë për ta vënë veten në vendin e të tjerëve. Gjatë intervistës sonë të fundit, Kaltrina ndan me mua një mënyrë të menduari që më bën përshtypje të thellë dhe që është, mendoj, thelbësore për të trajtuar çështjen e emigrantëve. Duke më parë drejt e në sy, ajo më tha: Të gjithë jemi të ndryshëm, por jemi po aq të njëjtë. Për të kuptuar ndjenjat e secilit, duhet të kuptosh se ai apo ajo është si ti. Këtë nuk arrin ta kuptojë administrata franceze. Shikoni emigrantët e tjerë, shikoni veten ! Nëse keni dhimbje, je si unë. Është e njëjta dhimbje brenda vetes. Vetëm historia ndryshon. ”

*Emri është ndryshuar për të mbrojtur identitetin e personit.

**Ky artikull u përgatit në maj-shtator 2022. Në momentin e finalizimit të tij për botim, Kaltrina aplikoi dhe fitoi një praktikë profesionale në metropolin Grand Nancy, në departamentin e Burimeve Njerëzore. Ajo është shumë e lumtur sepse është një fushë të cilën e pëlqen shumë.

*** Ky artikull është prodhuar si pjesë e projektit “Të vijmë së bashku, të rrëfehemi, të mobilizohemi”, një partneritet midis platformës së informacionit PRO IDE dhe Secours Catholique Caritas Hauts de Lorraine, me mbështetjen financiare të kësaj të fundit. Ai u shkrua nga Oriel Wagner, studente në universitetin e Shkencave Politike në Paris, kampusi i Nancy-t, vullnetare (2022) me Secours Catholique Caritas Hauts de Lorraine, dhe u redaktua nga Elda Spaho Bleta, gazetare, themeluese e PRO IDE. Burimet e informacionit citohen dhe kur jepet një mendim vetjak, ai angazhon vetëm autoren. Përmbajtja e artikujve nuk përfshin strukturat e përmendura më parë.

Lini një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Verified by MonsterInsights