Dorina kaloi 8 vite në përpjekje për të rritur fëmijët e saj, pa të shoqin, duke jetuar me prindërit e tij. Ajo punonte 12 orë në ditë, ndërsa kujdesej edhe për shtëpinë e për vjehrrin e sëmurë. E gjitha kjo pa një fjalë falenderimi, nën dhunë psikologjike, ekonomike dhe fizike. Një histori njerëzore.
Shkruar në frëngjisht nga Dora Poszgai, studente,Universiteti i Shkencave Politike, Nancy. Redaktore dhe përkthyese në shqip Elda Spaho Bleta
“Shumë njerëz pyesin, - thotë Dorina*, - pse u largova nga vendi im, pse erdha këtu, në Francë?”. Po, historia e saj është e ndërlikuar. Hapi i parë për ta kuptuar është të pranosh se shumica e emigrantëve nuk largohen nga vendi i tyre me dëshirë e vullnet të lirë. Ata ikin nga diçka: lufta, përplasjet politike, varfëria, padyshim - por edhe vështirësitë vetjake. Kanë një arsye të fortë për t'u larguar, për të lënë familjen pas dhe shtëpinë e tyre.
Një martesë plot dhunë
Katër vite më parë, Dorina, nënë e dy fëmijëve, u iku frikës dhe dhunës në Shqipëri dhe u nis drejt Francës, për të rritur siç duhet fëmijët e saj. Edhe pse në rrugën e modernizimit, shoqëria patriarkale ballkanike mbetet e rrënjosur fort në traditat dhe zakonet që përcaktojnë strukturën hierarkike shoqërore dhe familjare. Gratë janë ende në varësi të burrave. Dorina u martua në vitin 2000 dhe lindi dy fëmijë në vitin 2002 dhe 2007. Të gjithë bashkë, me fëmijët dhe bashkëshortin, jetonin në shtëpinë e prindërve të moshuar të këtij të fundit, në mënyrë që ajo të kujdesej për ta. Vijuan vite të gjata dhune dhe nënshtrimi, jo vetëm ndaj bashkëshortit, por edhe ndaj prindërve të tij.
-Një here, thjesht harrova të mbyll dritaren dhe vjehrri më goditi me patericat e tij, - tregon ajo. -Dhuna e tij ndaj meje ishte gjithmonë e justifikuar, meqë ishte i moshuar dhe i sëmurë. Nuk kisha çfarë të bëja.
- Po burri ? Edhe ai ju godiste?
- Po. Gjithmonë. Më godiste për gjithçka. Ndaj, një ditë, ndalova së foluri. Nuk doja më sherre. Nuk doja më probleme.
Sipas Anketës Kombëtare të Popullsisë “Dhuna ndaj grave dhe vajzave në Shqipëri”1, kryer nga INSTAT (Instituti zyrtar i Statistikave në Shqipëri), në 2018, më shumë se gjysma e grave dhe vajzave shqiptare të moshës 15-74 vjeç kanë përjetuar dhunë gjatë jetës së tyre. Për më tepër, 47% e tyre kanë përjetuar dhunë në familje nga partneri intim.
Në vitin 2006, parlamenti shqiptar ratifikoi ligjin për “Masat kundër dhunës në marrëdhëniet familjare”2 për ta ulur atë në gjirin e familjes, ndaj grave. Ligji e përkufizon qartë dhunën në familje si çdo akt tjetër dhune fizike, morale, psikologjike, seksuale, sociale dhe ekonomike të kryer ndërmjet personave që janë ose kanë qenë në një marrëdhënie familjare. Kodi i Republikës së Shqipërisë3 u rishikua për të përfshirë dhunën në familje si vepër të dënueshme me burgim.
Megjithatë, në jetën e përditeshme, gjendja ende ndryshon dukshëm nga teoria, pasi gratë që përjetojnë dhunë në familje zakonisht nuk e raportojnë atë në institucionet përkatëse ligjore. Shkaku kryesor i nën-raportimit gjendet tek normat shoqërore. Sipas anketës së sipërpërmendur të INSTAT1, 46.5% e grave të moshës 18-74 vjeç deklaruan se të gjithë ose shumica e anëtarëve të komunitetit të tyre "mendojnë se një grua duhet të tolerojë njëfarë dhune, për të mbajtur familjen e saj të bashkuar".
"Nuk kam shkuar kurrë në polici, pasi kjo është normë në Shqipëri. Ka qenë thuajse gjithmonë kështu. Gjithsesi vjehrra nuk do të më kishte lejuar",- thotë Dorina.
8 vite braktisje dhe më pas Franca
Pas telasheve me autoritetet dhe përplasjeve me partnerët e tij në një biznes të dyshimtë, bashkëshorti i Dorinës largohet nga familja në vitin 2010, duke mos lënë asnjë gjurmë pas. Ajo ka kalua vite të tëra duke luftuar për të rritur fëmijët e saj, vetëm, duke u kujdesur edhe për prindërit e tij. Gruaja e re punonte 12 orë në ditë, si rrobaqepëse, si dhe mbante shtëpinë e kujdesej fëmijët e vjehrrin e saj të sëmurë. Këtë e ka bërë çdo ditë, për 8 vite të gjata, pavarësisht abuzimeve psikologjike, ekonomike dhe fizike nga vjehërrit. Nga të cilët nuk dëgjoi kurrë një falenderim, një fjalë të mirë. Ajo është përpjekur të mbijetojë në një familje shfrytëzuese dhe abuzive.
Megjithatë, një ditë, Dorina vendosi se kishte duruar mjaftueshëm. Nuk mund të vazhdonte të bëntë më këtë jetë. Kuptoi, mbi të gjitha, që ishte vetëm dhe se nuk kishte njeri që mund ta ndihmonte. "Vendosa të largohem nga vendi im për të gjetur kushte më të mira jete për fëmijët e mi. Për mua, gjithashtu."
Ajo erdhi në Francë me, në mendje, një imazh mikpritës të këtij vendi. Duke shpresuar për një fillim të ri - për një jetë të re. Të paktën, të qetë dhe të sigurt.
"Nuk mund të qendroja më në Shqipëri. Nuk mund ta bëja më. Nuk erdha për të përfituar nga Franca. Nuk dua bamirësi. Erdha të punoj, të rris fëmijët e mi, me punën time."
Megjithatë, ajo që gjeti në Francë, ishte shumë e ndryshme nga ajo që shpresonte. Në vend të mikpritjes, mundësive të punës, pranimit dhe mundësive për të zgjedhur, 4 vite të gjata pritjeje të pafuqishme dhe një gjendje të pasigurt financiare, për shkak të mungesës së dokumenteve.
"Kur mbërritëm, na u desh të flinim në baraka. Për dy muaj. Pastaj përsëri për gjashtë muaj të tjerë. Secili prej nesh nuk kishte më shumë se një karrige të gjatë plazhi dhe një batanije. Ishim gati 30 vetë që jetonim në të njëjtën dhomë," Dorina kujton vuajtjet e muajve të parë në Francë me dhimbje dhe një zë të zhgënjyer.
Pasi 8 muajsh në baraka, familjes iu dha një dhomë rezervë në një qendër strehimi për azilkërkuesit.
Dorina aplikoi për mbrojtje pranë Zyrës Franceze për Mbrojtjen e Refugjatëve dhe Personave Pa Shtetësi (OFPRA), duke përfituar ndihmë ligjore dhe një përkthyes. “Çdokush ka të drejtë të kërkojë dhe të gëzojë azil në vende të tjera, për t’u mbrojtur nga persekutimet”, thotë neni 14 i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut të vitit 19484. Statusi i refugjatit dhe/ose i mbrojtjes plotësuese njihet nga OFPRA bazuar në Konventën e Gjenevës të vitit 19515. Megjithatë, në praktikë, shumica e emigrantëve shqiptarë nuk kanë të drejtë të përfitojnë azil pasi Shqipëria konsiderohet një vend i sigurt6. Emigrantët shqiptarë kanë të drejtë të aplikojnë për mbrojtje plotësuese, e cila “u jepet personave që kanë arsye të rënda dhe të provuara për të dyshuar për një rrezik real për t'u ekspozuar ndaj dëmtimeve të rënda”7.
Dorina aplikoi për mbrojtje plotësuese. Kërkesa iu refuzua në vitin 2019 me arsyetimin e provave të pamjaftueshme për të vërtetuar ngacmimet dhe kërcënimet, duke mos justifikuar kështu nevojën për të marrë këtë mbrojtje. Mundësia e vetme e mbetur për t’u pajisur me dokumente që lejojnë banimin dhe punën në Francë mbetet qarkorja Valls e datës 28 nëntor 20128. Brenda saj, dy mundësi ekzistojnë për Dorinën: ligjësimi për shkak të jetës familjare, që kërkon 5 vjet qëndrim në Francë dhe të paktën 3 vjet ndjekje të shkollës për të paktën një nga fëmijët. Ose ligjësimi për shkak të punësimit, që kërkon 3-5 vjet qëndrim në Francë, dhe një kontratë pune ose premtim pune, si dhe një numër specifik pagesash nga punëdhënëse në vitet pararendëse. Megjithatë, qarkorja Valls nuk është detyruese për autoritetet. Kjo do të thotë se edhe nëse plotësohen kushtet e përcaktuara në qarkore, ligjësimi nuk është i sigurt.
Ndryshe nga perceptimi negativ për emigrantët, që ndeshet rëndom në Francë, Dorina ka dëshirën e madhe për të punuar. Kur jetonte në Shqipëri, në vendin e saj të origjinës, punonte si rrobaqepëse për franshiza të markave të njohura si Lacoste, Max Mara etj. Dëshira e saj e madhe është ta vazhdojë këtë profesion në Francë. Eshtë e apasionuar pas rrobaqepësisë. Por Dorina nuk e ka luksin e të kërkuarit punë vetëm si rrobaqepëse: ajo është gati të bëjë cdo punë të ndershme. Në të vërtetë, kërkimi i një pune, cfarëdolloji qoftë, është pjesë e rëndësishme e aktiviteteve të saj të përditshme. Mundësia e vetme, meqë është pa dokumente, është të punojë në të zezë. Por, në këtë rast, rreziku i dënimeve ligjore ndaj punëdhënësve, e bën shumë të vështirë gjetjen e një pune.
"Është si një rreth vicioz. Do të doja të punoja, por nuk më lejojnë. Sepse më duhen dokumentet. Nga ana tjetër, nuk mund të pajisem me dokumente sepse nuk kam kontratë pune. »
Familja me tre anëtarë, pa të ardhura, merr ndihmë nga shoqatat, dhe, kur është e nevojshme, edhe një mbështetje financiare nga familja e tyre në Shqipëri. Dorina e kalon ditën duke u kujdesur për fëmijët e saj dhe për apartamentin, duke kërkuar punë dhe duke shkuar në qendrën e Secours Catholique në Nancy. Aty ndjek mësimet e frëngjishtes, shoqërohet me të tjerë dhe përpiqet të integrohet. Megjithatë, rrethanat e vështira dhe pamundësia e saj për t'u siguruar fëmijëve saj jetën që meritojnë, i shkaktojnë stres dhe pikëllim të madh.
"Nuk di se si të vazhdoj. Por duhet të lë mënjanë ndjenjat e mia, duhet të përqëndrohem tërësisht tek fëmijët e mi sepse ata janë prioriteti", thotë ajo me dhimbje por edhe me një forcë të palëkundur, që i lexohet në fytyrë.
44-vjeçarja, e cila ka vuajtur shumë në vendin e origjinës, e mbetur vetëm me fëmijët e saj, pa dokumente prej 4 vitesh, nuk dorëzohet, me gjithë vështirësitë. Çedo ditë, ajo përpiqet të sigurojë gjithçka të mundshme për fëmijët e saj, me një buzëqeshje në fytyrë. Eshtë gati të japë gjithçka për të ecur përpara.
-A jeni penduar ndonjëherë që keni ardhur në Francë?
-Të pendohem? Jo, kurrë. - pergjigjet pa u menduar. -Jeta këtu në Francë është shumë sfiduese, por edhe më e qetë. Të paktën mund t'i rris fëmijët e mi si të dua, nuk jam vazhdimisht në frikë. E vlerësoj këtë vend. "
*Emri është ndryshuar për të mbrojtur identitetin e personit.
Burimet:
[1] INSAT, Violence against women and girls in Albania, 2018, p. 12-16 http://www.instat.gov.al/media/6123/publication-violence-against-women.pdf
2 loi n° 9669 du 18 décembre 2006 « Sur les mesures contre la violence dans les relations familiales » https://www.ilo.org/dyn/natlex/natlex4.detail?p_isn=75471&p_lang=
3 Code pénal de la République d’Albanie, Article 130, 2015 https://www.warnathgroup.com/wp-content/uploads/2017/11/Albania_CC_1995_am2015_en.pdf
4 Article 14 du Déclaration universelle des droits de l’homme de 1948 https://www.ohchr.org/sites/default/files/UDHR/Documents/UDHR_Translations/frn.pdf
5 Article 1 de la Convention de Genève de 1951https://www.unhcr.org/fr/4b14f4a62
6 L’OFPRA, Liste de pays d’origine surs, date de mise en jour : 01/09/2021 https://www.ofpra.gouv.fr/fr/textes-documents/liste-des-pays-d-origine-surs
7 Définis par l’article L. 512-1 du Ceseda, entré en vigueur le 1er mai 2021 https://www.legifrance.gouv.fr/codes/article_lc/LEGIARTI000042776169
8 Ministere de l’Intérieur, Circulaire INTK1229185C du 28 novembre 2012 http://www.justice.gouv.fr/publication/mna/circ_conditions_demandes_admission_sejour_2012.pdf