Çfarë leje të reja qëndrimi dhe pune do të jepen për profesione të ndryshme ? Dhe pse ligji mund të bëhet më i ashpër në lidhje me dëbimin e emigrantëve?
Versioni përfundimtar i projektligjit mbi emigracionin u publikua këtë të mërkurë, 21 dhjetor 2022. Qeveria franceze e dërgoi të hënën, në 19 dhjetor 2022, në Këshillin e Shtetit. Sipas mediave, teksti lehtëson dëbimin e të huajve që janë pa dokumente të rregullta në Francë, veçanërisht të atyre që përbëjnë kërcënim për rendin publik. Në të njëjtën kohë, qeveria synon të krijojë leje të reja qëndrimi, veçanërisht për të ashtuquajturat "profesionet e mungura/ në stres", si dhe për mjekët e huaj.
“Të kontrollojmë imigracionin dhe të përmirësojmë integrimin”: edhe titulli përmbledh dëshirën për të shfaqur një projekt të balancuar mbi këtë temë shumë përçarëse, rreth së cilës qeveria duhet të gjejë një shumicë - deklaron Ouest France. -Ndër masat kyçe është krijimi i lejes së qëndrimit “profesionet e munguara”, për sektorët që kanë mungesë të fuqisë punëtore, si për shembull ndërtimi, ndihma në shtëpi, ndihma për të moshuarit, restorantet etj. Teksti i ka të mirëspecifikuara konturet e tij: i vlefshëm për një vit, ai duhet të hyjë në fuqi “në baza eksperimentale” deri më 31 dhjetor 2026, datë pas së cilës do të dërgohet një raport në Parlament”.
Le të hedhim një vështrim më të afërt se çfarë përmban ky ligj.
Krahë pune në mungesë, një leje qëndrimi e veçantë
Integrimi i të huajve, respektimi i ligjeve franceze, punësimi më i lehtë i të huajve në sektorët në tension: këto janë, sipas mediave franceze, tre shtyllat e projektligjit të emigracionit që qeveria synon të votohet në fillim të vitit 2023 në Parlament. Në një intervistë për Le Figaro, të publikuar këtë të martë, ministrat e Brendshëm dhe të Punës, Gérald Darmanin dhe Olivier Dussopt, paraqitën linjat kryesore të tekstit. Në përgatitje e sipër për t'u paraqitur në Këshillin e Ministrave në janar përpara se të shqyrtohej në Senat dhe më pas në Asamblenë Kombëtare, ai ishte objekt i konsultimeve të shumta në fund të vitit.
“Qeveria ka propozuar krijimin e një leje qëndrimi për të ashtuquajturat profesione në mungesë. E vlefshme për një vit, kjo leje ka të bëjë me çdo të huaj pa dokumente që ka jetuar në Francë për të paktën tre vjet, i cili mund të sigurojë 8 fletëpagesa gjatë 24 muajve të fundit dhe që punon në një sektor ku ka mungesë të fuqisë punëtore. INSEE (Instituti Kombëtar i Studimeve Statistikore dhe Ekonomike) publikoi në nëntor një listë me 30 profesione të tilla nën tension ku përfshihen aktivitete që lidhen me ndërtimin, por edhe profesionet e ndihmës në shtëpi, kasapit, hidraulikut dhe agjentit të pasurive të paluajtshme”, shpjegon radio RTL.
Sot, sipas qarkores Valls, emigrantët pa dokumente mund të ligjërohen nëse punojnë, por punëdhënësi i tyre duhet të pranojë të nisë procesin. Dhe, fjalën e fundit e kanë prefekturat. “Me këtë ligj të ri, punëtori në gjendje të parregullt nuk do t'i nënshtrohej më vullnetit të mirë të njërit apo tjetrit. Personat në fjalë duhet të kenë gjithashtu teste të vlefshme për të verifikuar njohuritë e tyre profesionale. Dhe, patjetër, Agjencia Rajonale e Shëndetësisë do të duhet të japë pëlqimin e saj”, - shton radio.
Kjo masë “do të prekë disa mijëra njerëz në vit. Pra, nuk jemi aspak duke bërë një ligjësim në masë të të huajve, "deklaroi Olivier Dussopt, në përgjigje të frikës për një "thirrje të hapur" të shprehur nga Les Républicains (LR) dhe nga Fronti Kombëtar (RN), grupi i parë i opozitës në Asamblenë Kombëtare, ku qeveria ka vetëm një shumicë relative.
Leje qëndrimi e veçantë për mjekët
Sipas La Croix, ky projektligj parashikon veçanërisht krijimin e një leje qëndrimi për profesionistët shëndetësorë. Ata dhe familjet e tyre mund të banojnë në Francë për një deri në katër vjet, me kusht që të jenë rekrutuar nga një institucion shëndetësor publik ose privat jofitimprurës.
Kjo është një leje qëndrimi shumëvjeçare krejt e re për profesionistët e shëndetësisë. E quajtur “Talenti – profesionet e mjekësisë dhe farmacisë”, ka të bëjë me mjekët “çfarëdo specialiteti të tyre”, mamitë, kirurgët stomatologët dhe farmacistët, specifikon teksti. Sipas nenit 7 të tij, kjo kartë është e destinuar për profesionistët shëndetësorë dhe familjet e tyre “sapo të jenë rekrutuar nga një institucion shëndetësor publik ose privat jofitimprurës”. Teksti parashikon që dhënia e lejes të kushtëzohet nga autorizimi i Agjencisë Rajonale të Shëndetësisë. Periudha e vlefshmërisë së tij, nga një deri në katër vjet, do të varet nga vërtetimi "EVC" (Testi i Verifikimit të Kompetencave) që do të marrë praktikuesi.
“Kjo leje synon të plotësojë nevojën e rekrutimit të personelit të kualifikuar shëndetësor”, veçanërisht sepse këta praktikantë të huaj, tani për tani, nuk mund të punësohen “për mungesë të një leje qëndrimi që plotëson plotësisht specifikën e këtyre situatave”, justifikon ekzekutivi.
Masat për lehtësimin e dëbimeve
Por krijimi i lejeve të reja të qëndrimit është vetëm një pjesë e projektligjit. Më saktë, ajo e buta. “Siç është treguar prej disa muajsh, projektligji synon mbi të gjitha të promovojë dëbimet, veçanërisht nëpërmjet një reforme strukturore të së drejtës për azil dhe proceseve gjyqësore për të huajt”, shpjegon Ouest France.
Neni 9 synon veçanërisht "të lehtësojë dëbimin e të huajve që nuk respektojnë vlerat e Republikës dhe që kryejnë vepra penale në territorin kombëtar", dhe neni 10 të "zvogëlojë fushën e mbrojtjes kundër vendimeve" të OQTF në rast kryerje aktesh që përbëjnë një kërcënim serioz për rendin publik, sigurinë publike ose sigurinë e shtetit”.
Qeveria ka rifutur një pjesë të ligjit të separatizmit të censuruar fillimisht nga Këshilli Kushtetues në 2021, sipas Ouest France, për të "bërë të mundur refuzimin, tërheqjen ose mosrinovimin e disa lejeve të qëndrimit" në rast të mosrespektimit të “Parimet e Republikës”, si barazia gjinore, liria e orientimit seksual, simbolet e Republikës, apo edhe “në rast të një kërcënimi serioz të rendit publik”, nënvizon teksti.
Projektligji rikthen gjithashtu “dënimin e dyfishtë”; mundësia e dëbimit të të huajve të dënuar me të paktën dhjetë vjet burg - pesë vjet në rast të përsëritjes së veprës penale. Kuptohet, në varësi të vlerësimit të rrethanave që kanë të bëjnë me jetën e tyre private dhe familjare dhe nëse vendi i tyre i origjinës pranon t'i marrë. Po ashtu, çdo person i dëbuar në bazë të një OQTF (Detyrimi për të lënë Territorin Francez) nuk do të mund të aplikojë për vizë për pesë vjet (neni 18).
Sipas disa mediave franceze, në përgjithësi “qeveria kërkon të thjeshtojë llojet e procedurave dhe të ulë afatet kohore për apelet dhe gjykimet”. Për të deklaruar kundërshtimin e tyre ndaj projektit dhe për të kërkuar të drejta për migrantët pa dokumente, disa mijëra njerëz demonstruan në Paris të dielën. Ky marsh organizohej me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Emigrantëve, çdo 18 dhjetor. Të vendosur pas pankartës së kreut ku lexohej "Prej ngado që të vijmë, kudo që të kemi lindur, vendi ynë quhet solidaritet", pjesëmarrësit, mes të cilëve emigrantë pa dokumente dhe aktivistë, u ishin përgjigjur thirrjes së organizuesve -sindikatat të ndyshme (CGT dhe Solidaires) si dhe disa organizatave për mbrojtjen e emigrantëve.