Emigrantët ; sa leje qendrimi dhe pune të para 1 jep Franca ?

Për çfarë jepen në të vërtetë shumica e këtyre lejeve ? Në gjurmët e mitit të « Francës që mirëpret të gjithë » dhe shifrave të Ministrisë së Brendshme Franceze. Si krijojen të vërtetat e rreme mbi emigrantët në opinionin publik?

   « Një gënjeshtër e përsëritur 10 herë, mbetet gënjeshtër. E përsëritur 10 mijë herë, kthehet në të vërtetë ». Kjo ishte një nga aksiomat dhe thëniet e parapëlqyera të Hitlerit dhe Gebelsit. Dy gjenitë e zinj të propagandës thjesht e njihnin shumë mirë këtë të vërtetë të natyrës njerëzore. Dhe nuk përtuan ta përdornin.

Sepse, po: gënjeshtra mund të kthehet në një të vërtetë. Eshtë shkencërisht e provuar. « Me kalimin e kohës, vendosja e përsëritur përballë dezinformimit mund të krijojë të vërteta të gënjeshtërta. Kjo dukuri është e lidhur me kujtesën sepse të dhënat e ndeshura më parë kujtohen më lehtë, ndaj janë më të besueshme ». (De Keersmaecker et al. (2020). Hasher et al.( 1977).

Shifra, mite dhe krijimi i të vërtetave të gënjeshtërta

Më 17 korrik 2018, Roberto Savio, gazetar, President Emeritus dhe themelues i IPS Inter Press Service, zbuloi në Romë rezultatet e një sondazhi kryer me 23,000 qytetarë në Francë, Gjermani, Itali, Suedi, Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA. Sipas tij, rezultonte një nivel i madh dezinfomimi: italianët mendonin se emigrantët përfaqësonin 30% të popullsisë kur kjo shifër ishte vetëm 10% ! Suedezët mendonin se emigrantët zinin 30% të popullsisë, kur shifra është 20% ! « Italianët besojnë gjithashtu se 50% e emigrantëve janë myslimanë, kur shifra është 30% . Në të kundërt, 60% e emigrantëve janë të krishterë dhe italianët mendojnë se janë vetëm 30% »,- shtoi Savio.

Disa javë më parë, ndërsa pritja e anijes OCEAN Viking ndau klasën politike në Francë, mitet negative shkonin edhe më larg. « 39% e francezëve i shohin emigrantët si një "kërcënim" për vendin », rezultonte nga sondazhi kryer prej institutit CSA dhe publikuar në CNEWS më 17 nëntor 2022.

Miti/ Të gjithë vijnë në Francë dhe Franca i mirëpret të gjithë!

E vërteta :
• Sipas Ministrisë së Brendshme Franceze, Franca lëshoi 270,925 leje qëndrimi të para (të përkohshme) në vitin 2021**.
• Por nga ky numër, 173.538 janë viza studentore dhe leje qëndrimi “Familje franceze- anëtar i familjes, lidhje familjare).
• Vetëm 97 387 leje qëndrimi “Humanitare”, “Ekonomike” dhe “Të ndryshme”, të gjitha marrë së bashku.
Vetëm 39,660 leje qëndrimi “Humanitare » - refugjat dhe person pa shtetësi, azil dhe mbrojtje shtesë, viktimë e trafikimit të qenieve njerëzore, i huaj i sëmurë, viktimë e dhunës në çift.

Të vërtetat e gënjeshtërta negative për migrantët janë kaq të forta saqë, në 2020, edhe kur numri botëror i tyre u ul ndjeshëm me 2 milion dhe kërkesat për azil në shkallë të parë ishin 1.1 milion (45% më pak krahasuar 2019), për shkak te kufizimeve të lëvizshmërisë lidhur me COVID-19, “… në kundërshtim me kontekstin, pandemia e COVID-19 shtoi dezinformimin për migrantët, të cilët u sulmuan në mënyra të ndryshme si fajtorë për futjen e virusit ose për rritjen e sëmundjes”. *, sipas IOM (Organizata Botërore për Migracionin).

Gënjeshtra e përsëritur krijon të vërteta te gënjeshtërta. Kur këto të fundit ushqehen me frikë dhe mungesë ndjeshmërie për ata që janë në nevojë, mitet negative krijohen shumë lehtë.

Ja një prej më të njohurve:

Të gjithë vijnë në Francë dhe Franca i mirëpret të gjithë!

Eshtë një nga të mitet më të pranuara dhe të përsëritura në Francë. I përdorur rëndom publikisht dhe politikisht sidomos nga ekstremi i djathtë, pa mbështetje në shifra, ai vërtetohet vit pas viti nga sondazhet e publikuara në media. Rezultati: Gjithnjë e më tepër francezë mendojnë që, në vendin e tyre ka më shumë të huaj se ç‘duhet dhe që qeveria nuk ka një politikë frenuese. « “Debati publik mbi emigracionin në Francë është krejtësisht në mospërputhje me të vërtetën në terren”, -deklaroi François Héran në një tribunë botuar në 8 nëntor 2022 në gazetën Le Monde e cila komentonte: Profesor në katedrën e Kolegjit të Francës për Migrimet dhe Shoqëritë, Héran na kujton, me shifra mbështetëse, sa i kufizuar është imigrimi, shumë më i vogël se vendi që zë ai në hapësirën publike”.

Por të shohim më konkretisht sa mirëpriten emigrantët në Francë, pra sa leje qendrimi të para1 u jepen atyre:

Sipas Ministrisë së Brendshme, Franca lëshoi 270,925 leje qëndrimi të para (të përkohshme) në vitin 2021**. E parë në bllok, pa e analizuar, shifra duket goxha e madhe. Po t’u hyjmë një nga një kategorive të lëshimeve të këtyre lejeve, gjendja ndyshon.

Së pari, sepse absolutisht që pjesën dërrmuese të këtyre lejeve, sipas Ministrisë së Brendshme Franceze, e zënë vizat studentore (grupi më i madh me 87 694 leje) dhe “Jetë familjare- familje franceze, anëtar i familjes, lidhje familjare- grupi i dytë më i madh me 85 844 leje). Të mbledhura bashkë, këto dy grupe lejesh japin shifrën 173.538 (viza studentore dhe leje qëndrimi “jetë familjare”). Pra, e thënë me shifra, nga vetë Ministria e Brendshme Franceze, 64% e lejeve të qendrimit për të huajt u jepen studentëve që vijnë për t’u arsimuar në Francë (e vërtetuar ekonomikisht si një përfitim për vendin) dhe atyre që martohen me francezë apo kanë lidhje familjare me ta.

Të gjithë kategoritë e tjera, pra “Humanitare”, “Ekonomike” dhe “Të ndryshme” rrumbullakosin shifrën 97 387 leje qendrimi.

Mes tyre, kategoria më e përfolur, ajo “Humanitare” ku futen të gjitha lejet për refugjatët, personat pa shtet, viktimat e aparteidit, azilkërkuesit, të huajt e sëmurë, viktimat e trafikimit njerëzor dhe viktimat e dhunës në çift, rezulton në më pak se 40 mijë leje qendrimi në Francë! Më saktë 39 660. Flasim për një nga vendet më të pasura në botë dhe për një nga shtetet më të zhvilluara, ndaj kjo shifër duhet vendosur mirë nën këtë këndvështrim. Aktualisht, sipas raportit më të fundit të IOM (Organizata Botërore për Migracionin) ka një numër rekord njerëzish të zhvendosur nga vendet e tyre të lindjes për shkak të luftërave, konflikteve të përgjakshme dhe fatkeqësive natyrore.

Ja vlen të ndalem pak te kategoria “Ekonomike” për të kuptuar më mirë se sa shumë e kursyer është Franca madje edhe në dhënien e lejeve për ata që duan të punojnë në këtë vend. Kjo leje jepet për shkencëtarët , artistët, të punësuarit me kohë të plotë, punonjësit sezonalë dhe të vetëpunësuarit. Për të gjithë këta, Franca dha, në mënyrë të përkohshme vitin e shkuar, vetëm 36 095 leje.

Kategoria e fundit, “Të ndryshme” përfshin të gjitha vizat që jepen për vizitorët në Francë, për të huajt e mbërritur të mitur, për ish-ushtarët që kanë luftuar për Francën etj. Për ta, vitin e shkuar, shteti dha 21 632 leje qendrimi, sipas të njëjtës ministri.

Dhe, nëse mendoni se në vitet paraardhëse shifrat ishin më të larta, mjafton të shihni grafikun e mësipërm, pjesë e dokumentit zyrtar të Ministrisë së Brendshme Franceze. Aty duket qartë që viti 2021 ishte, deri më tash, më bujari…

Burimet

1 Leje të para quhen ato që jepen për të huajt pas kërkesës së tyre të parë për të qendruar ligjerisht ne Francë. Pra, zyrtarisht, rinovimi i tyre nuk numërohet si leje e re, edhe sikur arsyeja e lëshimit të ketë ndryshuar.

* https://publications.iom.int/books/etat-de-la-migration-dans-le-monde-2022-chapitre-8-desinformation-sur-la-migration-un

**https://static.data.gouv.fr/resources/les-titres-de-sejour-publication-du-20-juin-2022/20221018-121745/la-delivrance-des-premiers-titres-

Ky artikull është prodhuar si pjesë e projektit "Migracioni, të rinjtë dhe interneti - 2", me mbështetjen financiare të Agjensisë Franceze të Zhvillimit (AFD), të Grand Est Solidarités et Coopérations pour le Développement (GESCOD) si dhe me mbështetjen e shoqatës AMI-PLUS. Burimet e informacionit citohen dhe, kur jepet një mendim vetjak, kjo gjë angazhon vetëm autoren, Përmbajtja e artikujve nuk përfshin strukturat e lartpërmendura ”.

Lini një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

sqAlbanian
Verified by MonsterInsights