Frika nga Detyrimi për të Lënë Territorin Francez (OQTF). Por mbi të gjitha, historia e dhjetëra të rinjve, mbërritur si të mitur të pashoqëruar (MNA) e që krijuan ACTION LES JEUNES 54 ! Pas tyre, historia e mijëra të tjerëve në gjithë Francën.
Varfëri, lënie pas dore, dhunë. Pastaj, nisja nga vendi i tyre. Udhëtime të gjata dhe të rrezikshme kur, shpesh, janë më pak se 10 vjeç. Mbërritja, vetëm, në Francë. Pritja për muaj të tërë para se të merren nën kujdes nga Ndihma Sociale për Fëmijët (ASE). Gjithmonë pa familje afër. Kur, më në fund, pak më të fortë dhe më të pavarur, madhorë 18 vjeç, mbërritja e OQTF. Dëbimi nga Franca ... i cili i jep fund gjithë këtij udhëtimi.
Një gjendje pasigurie dhe frike për përballimin e së cilës, një grup të rinjsh ka vendosur t’u rezistojnë paqësisht, por qartë, dëbimeve nga Franca. Bashkë me disa organizata të shoqërisë civile, ata kanë vendosur të ndryshojnë strategjinë : Jo më thjesht rrethe ku mbahet zi në sheshin Stanislas, në Nancy. Për herë të parë në Meurthe-et-Moselle, kanë ngritur një grup të posaçëm. «Ai quhet ACTION LES JEUNES 54! ( Forca të rinjtë e departamentit 54! -shënim i autores! », -shpjegojnë të rinjtë dhe organizatat, në një intervistë eskluzive për Pro IDE.
Pika që derdhi kupën…
Patjetër, më herët, patëm çështjen Zemmour. Por, në janar 2021, historia e 18-vjeçarit Laye Fodé Traoré, nga Besançon, ndezi një debat të cilin shoqëria civile, publiku i gjerë dhe intelektualët e morën mjaft seriozisht.
Që nga viti 2019, Laye mësonte profesionin e bukëpjekësit falë një kontrate zejtarie me Stéphane Ravacley. Por më 25 nëntor 2020, kur sapo kishte mbushur 18 vjeç, ai mori një OQTF. “Kur Laye mbushi 18 vjeç, xhandarët mbërritën sepse panë në kompjuterin e tyre që ai ishte madhor. Por ata nuk e dinë që ai punon mire, që është një djalë i mirë. Eshtë një politikë dritëshkurtër që unë nuk arrij ta kuptoj ”, - iu rrëfye ai gazetës Liberation.S. Ravacley ia arriti të fitonte vëmendjen e medias duke nisur një grevë urie më 5 janar. Për të ndaluar që nxënësi i tij të dëbohej nga Franca, ai vazhdoi grevën edhe pasi u përfundoi në dhomën e urgjencës.
« Je demande donc à tous les jeunes étrangers venus mineurs et déjà installés en France de venir aider. N’oubliez pas ! Ici, les gens ont besoin de motivation, de soutien, d’optimisme et d’idées constructives. Ils ont attendu les réponses des institutions pendant des mois, parfois des années. Savez-vous combien il est difficile d’attendre ? Surtout quand on est mineur ou jeune ? ».
Dhe më pas, erdhi një deklaratë nga Elisabeth Borne, Ministre e Punës, Punësimit dhe Trajnimit Profesional. Më 8 janar 2021, ajo u pyet në lidhje me situatën e Traoré. "Në parim, nuk duhet të ndodhë kështu", -vlerësoi ministrja. "Kur mirëpresim të mitur të pashoqëruar të cilët trajnohen dhe formohen, pas dy vjetësh, nëse gjithçka shkoi mirë, atëherë ata mund të vazhdojnë të punojnë në Francë. Por ky është një rast i veçantë. Ekziston një mosmarrëveshje mbi situatën e tij… (Traores-shënim i autore), autoritetet gjyqësore do të marrin një vendim".
Një rast i veçantë?
Me sa duket, çështja e Traoré nuk është aspak e veçantë dhe dhjetëra shoqata në zonën e Nancyt, jo shumë larg Besançon, mblodhën të dhënat. Dy javë pas deklaratës së ministres, ato lëshuan një njoftim për shtyp. “Réseau Education Sans Frontière (RESF 54) mundi të identifikonte në zonën e Nancy më shumë se 70 të mitur të pashoqëruar (MNA), të regjistruar në një kurs formimi profesional (CAF) në fusha me nevojë të fortë për krahë pune (furrtar, agjent hoteli, shërbim në dhomë, murator, mekanik, siguri ...) të cilëve u është mbyllur kontrata e mësimit sapo kanë mbushur 18 vjeç. Kjo ka ndodhur për shkak të kontestimit të identitetit të tyre apo edhe thjesht për shkak të ngadalësisë administrative ose ndryshimeve të papritura në procedurat për paraqitjen e kërkesave të rregullimit në prefekturë… ", -thuhet në njoftimin për shtyp të nënshkruar nga RESF dhe Etats Generaux de Migrations, së bashku me shoqatat dhe sindikatat si A Toit Pour Les Migrants, FSU, CGT, LDH, MAN, SAF, SOLIDAIRES, SUD Education, Amnesty International.
70 raste vetëm në pellgun e Nancy, i cili ka 62 komuna. Nuk ka asnjë vlerësim për të gjithë Francën metropolitane dhe ne mund të llogarisim vetëm shifra të përafërta për 34,839 komunat e saj.
Përpos hapjes publikisht të një debati që zjente prej kohësh së brendshmi, historia e Traore, përfundoi mirë: 18 vjeçari, mbështetur nga greva e urisë së punëdhënësit të vet si dhe nga një peticion firmosur nga 200 000 vetë, u pajis me një leje qendrimi. Por të tjerët, nuk kanë kaq fat. Media është e mbushur plot me këto histori të trishta të rinjsh - fëmijë deri dje- që kanë bërë çmos ta fitojnë të drejtën e qendrimit në Francë: mësim i shpejtë i gjuhës, sjellje et nota të shkëlqyera në shkollë, punë vullnetare, punëdhënës që u kanë bërë gati kontrata pune pa afat- e që gjithsesi kthehen mbrapsht nga kanë ardhur.
Gjërat po lëvizin në Meurthe-et-Moselle
Brenda disa javësh, mbi 120 të rinj janë anëtarësuar tek ACTION LES JEUNES 54 ! me objektiva që qartësohen përditë. « Së pari, të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe të ndërgjegjësojmë publikun sepse ka shumë keqkuptime në lidhje me çështjen tonë. Dhe për këtë, përgatisim e shpërndajmë broshura dhe informacione. Së dyti, të ndërgjegjësojmë institucionet publike në Meurthe-et-Moselle, me këmbëngulje dhe me qetësi. Për këtë, kemi muaj që ushtrojmë presion pozitiv për të takuar prefektin. Unë besoj se, kur të na shohë, kur të na dëgjojë, do të ketë një mendim më të hapur për ne. Duam t’i shpjegojmë rrugën e gjatë të integrimit që kemi kryer në Francë, dëshirën tonë për të kontribuar në vendin që na priti kur ishim ende fëmijë. Ishin njerëzit, francezët, që na kanë ndihmuar, edhe atëherë kur institucionet na kanë nxjerrë jashtë, siç ka qenë edhe në rastin tim». Ai që i thotë këto fjalë është Musa, një 20-vjeçar nga Guinea, me një frëngjishte të pasur e që prej dy vitesh është rregullarizuar në Francë. Tani do të kalojë provimet e maturës, në drejtimin social. Eshtë me vonesë, për shkak se u desh shumë kohë derisa institucionet franceze ta njihnin si të mitur dhe ta rregjistronin në shkollë.
RESF 54: 70 të miturve të pashoqëruar (MNA), të regjistruar në një kurs formimi profesional në fusha me nevojë të fortë për krahë pune në Francë, u është mbyllur kontrata e mësimit sapo kanë mbushur 18 vjeç”.
Një histori e gjatë, e dhimbshme, në fund të së cilës Musa nuk ka ruajtur asnjë mëri.
Përkundrazi. Eshtë bërë edhe më i fortë e i vetëdijshëm se çdo gjë përmirësohet nëse njerëzit ia dalin të ulen në tavolinë dhe të dëgjojnë njëri-tjetrin. Dhe se kërkimi i të drejtave kalon së pari nga vetë ata që janë në nevojë. “E gjeta vetvetiu vendin në krye të këtij grupi, edhe pse jam tashmë i ligjëruar dhe mund të studioj e të punoj i qetë. Por nuk mund të harroj kurrë sa e vështirë ishte dhe sa shumë jam ndihmuar nga të tjerët, së pari nga francezët. Ndaj, u bëj thirrje të gjithë të rinjve të huaj që kanë ardhur të mitur e që tashmë janë rregullarizuar në Francë, të vijnë të ndihmojnë. Të mos harrojnë ! Njerëzit këtu kanë nevojë për motivim, për mbështetje, për optimizëm dhe ide ndërtuese. Ata janë prej muajsh, shpesh prej vitesh, në pritje të përgjigjeve të institucioneve. A e dini sa e vështirë është të presësh? Sidomos kur je i mitur, i ri ? ».
Prefektura
E vështirë është edhe pritja për prefektin, por ata nuk kanë qendruar duarkryq dhe e gjetën aty ku ndoshta ai nuk i priste fare. Madje, bashkë me dy kryeministrin Jean Castex dhe ministrin e Edukimit Jean-Michel Blanquer. Në një shkollë të mesme, në Laxou. "Ministrat Castex dhe Blanquer erdhën në zonën e Nancyt dhe shkuan në shkollën e mesme Héré në Laxou. Një i ri, i vemtuar, ishte pjesë e grupit të studentëve të zgjedhur për t'u takuar me ta. Ai paralajmëroi grupin Actions les Jeunes 54! ... Me bashkëpunimin e tij, shpejt u sajua një letër për kryeministrin dhe ministrin. Ai ishte në gjendje t’i sfidonte dhe të diskutonte me ta (edhe me Prefektin në një hap të dytë), në lidhje me vështirësitë specifike për migrantët e rinj në Francë, frikën në lidhje me OQTF-të që lëshohen shpesh sapo ata mbushin 18 vjeç. Nuk është e sigurt që kjo ngjarje do të pasqyrohet në media, por është e sigurt që të rinjtë kanë fituar krenari dhe një ndjenjë vetënjohjeje ", - tha Johan Chanal i RESF 54, në një komunikim të 3 majit 2021. Por grupi nuk pushoi së kërkuari takimin vetjak me prefektin. Më 16 maj, ata i dërguan një letër, duke e ftuar përsëri. Një lidhje këtu për videon që lidhet me këtë moment. .
Rezultatet e kësaj pune të përbashkët, mes të rinjve migrantë dhe shoqërisë civile, janë tashmë të dukshme: ata morën një përgjigje pozitive. "Më 15 qershor, një delegacion prej 4 anëtarësh të grupit ka një takim me Prefektin e Meurthe-et-Moselle. Një nga objektivat është të humanizohet këndvështrimi I Prefekturës në lidhje me ta, të humanizohe procesi i tyre të ligjërimit. ”, - deklaroi RESF 54, i cili punoi fort që ky takim të ndodhë.
Si mund të lidheni me ta ?
Të motivojnë e të mbështesin njëri-tjetrin, por po ashtu edhe banorët e tjerë jo-emigrantë. Një pjesë e punës së grupit është përqëndruar tek ndihma ndaj të tjerëve. Ashtu si këtë 8 maj 2021, kur, shumë prej tyre, me çantat e mbushura me ushqime, përshkonin rrugët e Nancyt për t’ua shpërndarë të pastrehëve dhe për të biseduar me ta. Një e vërtetë e zakonshme, që është larg imazhit « keqbërës » të MNA servirur shpesh në media, pa iu analizuar mirë shkaqet. E që, për fat të keq, ia vështirëson jetën pa fund pjesës tjetër, asaj që punon, studion, ndihmon e që përbën shumicën.
Patjetër, më herët, patëm çështjen Zemmour. Por, në janar 2021, historia e 18-vjeçarit Laye Fodé Traoré, nga Besançon, ndezi një debat të cilin shoqëria civile, publiku i gjerë dhe intelektualët e morën mjaft seriozisht.
Si mund të lidheni me ta? « Grupi ACTION LES JEUNES 54 ! është i hapur për të gjithë të rinjtë që presin të rregullarizohen në Meurthe-et-Moselle. Si edhe për ata që janë rregullarizuar, por që kanë dëshirë të ndihmojnë. Në Facebook, mund të na gjeni me Tous Pour la Regularisation »,-shpjegojnë ata për IDE. Ndërkaq, është krijuar një grup Whatsapp. « Për të marrë pjesë, mjafton të kontaktoni një nga të rinjtë themelues që do të kujdeset t’ju shtojë në listën e grupit. Për të vendosur kontaktin e parë, dërgoni një mesazh në numrin 07 77 34 79 83 », - propozojnë shoqatat.
Grupi i të rinjve ACTION LES JEUNES 54! gjatë një prej aktiviteteve në sheshin Stanislas, Nancy, Meurthe-et-Moselle, prill 2021.
* Ky artikull është prodhuar si pjesë e projektit "Migrimi, Rinia dhe Interneti". Ai është shkruar nga Elda Spaho Bleta, vullnetare e grupit lokal Oxfam në Nancy, e cila i kushtoi shumë vëmendje informacionit të dhënë. Burimet e informacionit janë cituar dhe, kur jepen këshilla vetjake, kjo është përgjegjësi vetëm e redaktores. Nëse, pavarësisht vëmendjes së saj, një gabim ka ndodhur, ju lutemi raportojeni duke i shkruar asaj në nancy@oxfamfrance.org. Ky artikull është botuar me mbështetjen e fondeve të Agjensisë Franceze të Zhvillimit, Grand Est Solidarités et Coopérations pour le Développement (GESCOD) dhe me mbështetjen e Oxfam Francë. Përmbajtja e artikujve nuk përfshin strukturat e sipërpërmendura.