Për kë bie këmbana?

Crédit photo : Luizclas/ Unsplash

Në tetor 2018, nisa të jap kurse frëngjishteje, si vullnetare, për disa të mitur shqiptarë që kishin mbërritur në Nancy vetëm, pa familjarët e tyre. Në zhargonin profesional në Francë, ata njihen si si të Mitur të Pashoqëruar -Mineurs Non Accompagnés- MNA.

Një zbulim shqetësues do të niste atëherë për mua, përgjatë thuajse një viti, zbulim që do të bëhej përherë e më shumë tronditës ; e mbërritur në Francë në 2017, nga Shqipëria, bashkë me familjen time,i njihja tashmë shumicat e vështirësive të të huajve. Sidomos të atyre që vijnë nga vende të varfëra ose në zhvillim e sipër. Kështu që nuk kisha pritshmëri të mëdha ditën e parë kur kapërceva pragun e qendrës ku ishin strehuar këta djem të mitur e ku do të jepja mësim. Por të gjitha pritshmëritë e mia u tejkaluan. Në kuptimin e keq të fjalës. Nënë e dy djemve të mitur, vetëm disa vite më të vegjël se ata që shihja përreth meje, merrini me mend të gjitha sinjalet e çmendura që lëshonte truri im kur kuptova që mund të hyja lehtësisht, të ngjitesha nëpër kate e të futesha nëpër dhoma, po të doja, pa u kuptuar nga të rriturit kujdestarë të qendrës : Pjesa ku ata qendronin ishte e veçuar, e mbyllur me dyer, pa asnjë hapje ku mund të vëzhgoheshin hyrje-daljet.

Nënë e dy djemve të mitur, merrini me mend të gjitha sinjalet e çmendura që lëshonte truri im kur kuptova që mund të hyja lehtësisht, të ngjitesha nëpër kate e të futesha nëpër dhoma, po të doja, pa u kuptuar nga të rriturit kujdestarë të qendrës.

Kjo ishte një qendër qendrimi të përkohshëm, pra ku banorët mbaheshin derisa të vërtetohej që ata ishin me të vërtetë të mitur dhe jo të rritur. Eshtë një procedurë e gjatë, që shpesh merr muaj të tërë në Francë e gjatë së cilës ata nuk shkojnë në shkollë. Në dosierin që pason këtë editorial, shpjegohet hollësisht ajo që ndodh përgjatë këtyre muajve.

Personazhi kryesor i historisë sime me këtë qendër, ai që nuk mungoi kurrë në një orë mësimi, A.nga një qytet i Shqipërisë së Mesme, që sapo kishte mbushur 15-vjeç e që ka qenë një nga fëmijët më të zgjuar e të sjellshëm që kam takuar ndonjëherë, qendroi aty të paktën 6 muaj. Dhe kurrë nuk u njoh si fëmijë. Në të vërtetë, ai nuk mori kurrë përgjigje…Të paktën kështu më tha përmes një mesazhi telefonik, kur iku si emigrant sërish, në një vend tjetër, në Itali.

Por do të kthehem sërish tek ai.

Jo vetëm mungesë sigurie, por edhe mobilje të vjetra, shpesh të thyera, shumë të ndotura, në korridorin e katit të parë, në atë që do të duhej të ishte hyrja. Shumica e të miturve ishin të veshur keq, me rroba dhe këpucë të vjetra. Dhe mbi të gjitha, dukej që ishin kaq të zhgënjyer, kaq të lodhur, të mërzitur nga të mosbërit thuajse asgjë. Kishin pritur tjetër gjë, kuptohej. Kishin pritur që të paktën të shkonin në shkollë. Por, para se të bëhej kjo, duhej që gjykatësi përkatës t’i njihte si fëmijë, një status që e detyron shtetin francez, si çdo shtet demokratik në botë, t’u sigurojë shkollim e shërbime të tjera. Por ja që dosjet qendronin në vendnumëro.

Për A. ashtu si edhe për shumë të mitur të tjerë nga Shqiperia, Kosova e vende të tjera të Europës Juglindore (shumica e të miturve të qendrës ishin nga vende afrikane), pritja bëhej gjithnjë e më e padurueshme. Ai fliste mirë frëngjisht dhe merrte vazhdimisht guximin të pyeste punonjësit e qendrës në lidhje me dosjen e tij. Shpesh, me besimin se unë, një e rritur, mund të tregohesha më kërkuese, më lutej të pyesja unë për të. Gjë që e bëja, sigurisht. Ishte e kotë ; përgjigje të shkurtra, të prera ; Ata nuk kishin ende asnjë të re. Derisa kjo të ndodhte, duhej të rrinte aty. Ose mund të kthehej në Shqipëri dhe udhëtimi do t’i paguhej.

Në muajt që do të pasonin, nuk qëlloi kurrë që t’i jepja mësim A.në një sallë të mirëqenë, me një tabelë, karrige e tavolina. Për kompjuter nuk bëhej fjalë. Ose do të sajonim një cep në kuzhinë, ndërsa hynin e dilnin të tjerë, ose në ndonjë sallë tjetër ku gjendeshin grumbuj rrobash e çarçafësh sjellë nga ndonjë fondacion. Ose thjesht do të rrinim pa bërë mësim sepse nuk arrinim t’i gjenim as këto cepa sallash. Me pak fjalë, një mungesë e plotë organizimi që i hiqte këtij të mituri, mendoj si shumë të tjerëve aty, dëshirën dhe mundësinë të përfitonte nga shoqëria apo mësimi me vullnetarët, pjesa dërrmuese francezë, që ishin të interesuar t’u gjendeshin pranë këtyre fëmijëve. E që nuk ishin pak. Por, të ndodhur para rrëmujës, pak nga pak largoheshin për të shkuar në një qendër tjetër ku mund të jepnin më shumë.

Personazhi kryesor i historisë sime me këtë qendër, ai që nuk mungoi kurrë në një orë mësimi, A., që sapo kishte mbushur 15-vjeç qendroi aty të paktën 6 muaj. Dhe kurrë nuk u njoh si fëmijë. Në të vërtetë, ai nuk mori kurrë përgjigje…

Crédit photo : Daan Stevens/Unsplash

Nuk mund të them se të gjithë punonjësit ishin indiferentë. E shihja qartë se kishte mes tyre plot që ndiheshin keq e që përpiqeshin të bënin sa më mirë punën. Por edhe ata largoheshin përballë gjithë kësaj rrëmuje dhe hipokrizie. Përgjatë 1 viti që vazhdova të shkoj në qendër, shpesh edhe si përkthyese, të rrallë mund të kenë qenë punonjësit socialë që i kam ndeshur më shpesh se 3-4 herë…Me siguri, pafuqia për të përmbushur misionin e tyre, u rëndonte.

Po pafuqia ime ? Sepse, edhe pse më vjen turp ta pranoj, kjo është e vërteta: isha një e rritur, gazetare për më tepër, para një padrejtësie, dhe nuk po kuptoja çfarë mund të bëja që të ndryshoja ndonjë gjë. Ishte e qartë se bisedat motivuese, interesimi i vazhdueshëm, mësimi i frëngjishtes, ishin shumë pak. Atëherë, nisa të gërmoj të dhëna e të flas publikisht. Në mbledhjet me organizatat e shoqërisë civile, mes aktivistëve. Dhe kuptova që nuk isha vetëm unë që shihja ato që shihja. Që nuk bëhej fjalë vetëm për një qendër. Që nuk bëhej fjalë vetëm për Nancyn. Qendrimi i mjegullt institucional ndaj këtyre të miturve në Francë, zvarritja e procedurave, kushtet e vështira të banimit, mungesa e shkollimit dhe shërbimeve mjekësore, raportohej të ishte shqetësues nga organizatat më të mëdha të mbrotjes së të drejtave të njeriut. Dhe kuptova se sa i rrezikshëm, por edhe sa i mundur është, pranimi si i mireqenë i miteve.

Sepse po, guxoj ta them : Që të miturit e huaj të pashoqëruar priten mirë në Francë, ky është thjesht një mit. Ndoshta dikur ky pohim ka qenë i vërtetë. Ndoshta. Por sot, është thjesht një mit. Të cilin unë vetë e kisha besuar shumë lehtë, duke dëgjuar e lexuar ato që publikohen në masë.

Ky dosier i kushtohet pikërisht sqarimit të këtij miti, me vetëdijen e qartë që ai hedh dritë vetëm në një pjesë shumë të vogël të tij. Por mbi të gjitha, i kushtohet A. nga Shqipëria e Mesme, një nxënës i shkëlqyer, që pa mbushur ende 16 vjec u nis emigrant drejt një vendi tjetër, Italisë. Për të studiuar seriozisht, pa sjellë varfërimin e familjes së tij. Vetëm në Shqipëri nuk e mendonte kthimin. « Ti e di si kanë përfunduar shkollat publike tek ne, Elda. Madje edhe privatet. Të paktën këtu, do të bëj shkollë tamam ».

Në muajt që do të pasonin, nuk qëlloi kurrë që t’i jepja mësim A.në një sallë të mirëqenë, me një tabelë, karrige e tavolina. Për kompjuter nuk bëhej fjalë. Sajonim një cep në kuzhinë ose në ndonjë sallë tjetër ku gjendeshin grumbuj rrobash e çarçafësh.

Dhe po, patjetër, ky dosier u drejtohet familjeve, padrejtësive të vazhdueshme shoqërore dhe korrupsionit politik në vendin tim, ashtu si në vendet e tjera nga nisen përditë këta fëmijë. Pa patur në mendje të bëj një analizë se faji i kujt është më i madhi. Larg qoftë ! Të tërë ne kemi një pjesë. Ne të rriturit. Ne, institucionet. Thjesht duhet ta pranojmë e të nisim punën, madje ta bëjmë atë sa më mirë. Se bëhet fjalë për fëmijë, në fund të fundit. Dhe mbi te gjitha.

 Ndërkaq, ata që paguajnë gjithë këtë, ata që nisen vetëm, si emigrantë, ata që jetojnë në qendra të ftohta, ata që rreshtin shumë shpejt së qenuri fëmijë, janë të miturit tanë. A do munden dot ata, pas gjithë këtij mohimi, pas gjithë këtij rrugëtimi, ta marrin veten plotësisht një ditë ? Pa patur në gjoks një zemër të lënduar ? Dyshoj… (vazhdon)

P.S Qendra e pritjes për të miturit, për të cilën shkruhet në këtë editorial, tashmë është mbyllur, pas rreth 2 vitesh pune.

Ky artikull është prodhuar si pjesë e projektit "Migrimi, Rinia dhe Interneti". Ai është shkruar nga Elda Spaho Bleta, vullnetare e grupit lokal Oxfam në Nancy, e cila i kushtoi shumë vëmendje informacionit të dhënë. Burimet e informacionit janë cituar dhe, kur jepen këshilla vetjake, kjo është përgjegjësi vetëm e redaktores. Nëse, pavarësisht vëmendjes së saj, një gabim ka ndodhur, ju lutemi raportojeni duke i shkruar asaj në [email protected]. Ky artikull është botuar me mbështetjen e fondeve të Agjensisë Franceze të Zhvillimit, Grand Est Solidarités et Coopérations pour le Développement (GESCOD) dhe me mbështetjen e Oxfam Francë. Përmbajtja e artikujve nuk përfshin strukturat e sipërpërmendura.

6 thoughts on “Pour qui sonne le glas ?”

  1. Pingback: RESF: Le parcours de ces jeunes, un combat! - pro-ide

  2. Pingback: Un Moussa et de nombreux Boybacar-s ? - pro-ide

  3. Hello there, just became alert to your blog through Google, and found that it’s really informative. I am gonna watch out for brussels. I’ll appreciate if you continue this in future. Lots of people will be benefited from your writing. Cheers!

  4. Excellent weblog here! Also your website a lot up fast! What web host are you the usage of? Can I am getting your associate link in your host? I want my web site loaded up as fast as yours lol

  5. Hello There. I found your blog using msn. This is an extremely well written article. I will be sure to bookmark it and return to read more of your useful info. Thanks for the post. I’ll definitely return.

Lini një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

sqAlbanian
Verified by MonsterInsights