Ligjësimi përmes punës : Kriteret dhe dokumentet

Cilat janë kriteret bazë dhe grupet e emigrantëve që mund të përfitojnë nga ligjësimi përmes punësimit. Po dokumentet që duhen futur në dosje ?

Në artikullin paraardhës shpjegova bazat e ligjësimit në Francë përmes punësimit si dhe mundësitë e krijuara nga qarkorja Valls. Në këtë qarkore parashikohen edhe mundësi të tjera ligjësimi, ndaj ju këshilloj ta lexoni me kujdes sepse mund të gjeni argumente për të kërkuar qendrimin e ligjshëm në Francë edhe jashtë argumentit të punës. Cdo histori emigracioni është, së pari, njerëzore, e, për pasojë, e ndryshme.

Në artikullin e sotshëm, do të shpjegoj shkurt cilët mund të përfitojnë nga ky « pranim i jashtëzakonshëm qendrimi » për shkak të punësimit dhe cilat janë kushtet që duhen të përmbushen. Bëjnë përjashtim nga këto rregulla të prera të punësuarit ose ata që kryejnë stazhin në ndërmarrje të ekonomisë solidare (shoqata, sindiakata etj) ose që kanë mbledhur kontrata të vogla punësismi (si në rastin e ndihmësve shtëpiakë ; pastrim, ndihmë për të moshuarit, ndihmë për fëmijët, ndihmë për personat me aftësi të kufizuar etj)1. Për këtë pjesë të emigrantëve, lexoni me kujdes qarkoren Valls2.

Përveç emigrantëve që, pavarësisht se jetojnë prej vitesh në Francë, nuk janë pajisur asnjëherë me leje qendrimi dhe pune, mes atyre që mund të përfitojnë nga qarkorja Valls2 bëjnë pjesë edhe emigrantët që janë ligjëruar e kanë punuar për një farë kohe në këtë vend. Por që pastaj i kanë humbur këto të drejta për shkak se, për shembull, nuk u është rinovuar leja e qendrimit. Ligjësimi përmes punësimit u jep mundësi të mbledhin gjithë këto buletine te mundshme pagash (ose vërtetimet e punëdhënësve, çeqet e ndryshme me të cilat mund të jenë paguar etj) dhe t’i fusin në dosje për të vërtetuar se kanë punuar, sipas faqes zyrtare në internet të shërbimeve publike franceze1.

Sa vite qendrimi e pune dhe si t’i vërtetoni me dokumente?

Në mënyrë që të keni mundësi të ligjëroheni përmes punësimit, duhet që të paktën të keni 3 vite qendrimi në Francë. Në këtë rast, bëhet fjalë për « një pranim të jashtëzakonshëm »3, sipas faqes zyrtare në internet të Ministrisë së Brendshme Franceze . Duhet të tregoni, përmes dokumenteve, se keni punuar punuar të paktën 24 muaj. Nuk ka rëndësi nëse këta muaj pune janë të njëpasnjëshëm apo jo. Rëndësi ka që, kur të numërohen, të jenë 24 dhe që, 8 prej tyre, të jenë gjatë vitit të fundit.

Nëse keni 5 vite qendrimi në Francë, kushtet e ligjësimit përmes punësimit janë më të buta : mjafton të keni dokumente që tregojnë se keni punuar 8 muaj gjatë 2 viteve të fundit. Ose 30 muaj gjatë 5 viteve të qendrimit.

Kur nuk keni kontratë pune, por punëdhënësi jua ka premtuar, rolin dëshmues të këtij premtimi, në sytë e shtetit, nuk e luan më një deklaratë e tij mbi letër të bardhë, e firmosur, siç ndodhte shpesh më parë e që ishte një dokument i njohur dhe i pranuar nga administrata franceze.

Në të dyja rastet, pra nëse jetoni prej 3 ose 5 vjetësh në Francë, si provë që vërteton muajt e punës shërbejnë të gjitha « dëshmitë e aktivitetit të mëparshëm me pagë si për shembull fletëpagesat, deklaratat ose transfertat bankare, certifikata pune, certifikata nga Zyra e Punës « në frëngjisht « Pôle Emploi -shënim i autores», njoftimi i tatimit mbi të ardhurat që përputhet me periudhat e punësimit « në frëngjisht « Avis d’Impôt -shënim i autores» »3, sipas të njëjtës faqe zyrtare. Pra ruajini mirë këto dokumente, më dukje të thjeshta, sepse janë shumë të rëndësishme.

Po kohën e qendrimit në Francë me çfarë dokumentash mundeni ta dëshmoni? « Çdo dokument që justifikon vendbanimin tuaj të zakonshëm që nga hyrja juaj në Francë (njoftim tatimor, certifikatë e ndihmës mjekësore shtetërore (AME) etj),-shpjegohet nga e njëjta faqe interneti e Ministrisë së Brendshme Franceze. E cila pak më lart sqaron që duhet të fusni në dosje edhe një dëshmi të adresës suaj që daton jo më larg se 6 muaj si dhe kopje të pasaportës ku duket data e hyrjes në Francë. Si dëshmi të adresës ju mund të fusni një kopje të faturës së enërgjisë apo gazit, ujit, njoftim i taksimit ose i mostaksimit (në varësi të ta ardhurave që keni deklaruar -shënim i autores), kopje e kontratës së sigurimit të banesës etj).

Kushtet e tjera që duhen përmbushur

Kohëqendrimi dhe muajt e duhur të punës në Francë nuk janë të vetmet kritere që duhen mbushur në mënyrë që të depozitoni në prefekturë kërkesën tuaj për ligjësim përmes punësimit. Siç e nënkupton qartë togfjalëshi, duhet të keni gjetur punë. Pra duhet të keni në duar një kontratë pune ose një premtim pune nga ana e një punëdhënësi në Francë që kryen një aktivitet të deklaruar dhe të rregullt, pa detyrime të prapambetuar ndaj shtetit. Edhe në rastin kur nuk keni gjetur një kontratë me kohë të plotë, por disa kontrata të vogla, mund t’i grumbulloni të gjitha këto e t’i fusni në dosjen tuaj.

Kur nuk keni kontratë pune, por punëdhënësi jua ka premtuar, rolin dëshmues të këtij premtimi, në sytë e shtetit, nuk e luan më një deklaratë e tij mbi letër të bardhë, e firmosur, siç ndodhte shpesh më parë e që ishte një dokument i njohur dhe i pranuar nga administrata franceze. Tani e tutje, këtë rol e luan vetëm një dokument, shumë i rëndësishëm për ju ; formulari CERFA 15186-03 të cilin mund ta shkarkoni këtu. Ai mund të mbushet vetëm nga punëdhënësi juaj. Mos hezitoni t’ja shpjegoni rëndësinë e tij.

Kushte dhe dokumente të tjera ? Po. « Nuk keni nevojë për një vizë. Por duhet të flisni frëngjisht të paktën në nivelin elementar, nuk duhet të përbëni kërcënim për qetësinë publike (pra dosja juaj në drejtësi duhet të jetë e pastër-shënim i autores), nuk duhet të jetoni në gjendje poligamie (për këtë duhet të shkruani dhe firmosni një deklaratë nderi)”1, - thuhet në faqen zyrtare të administrates publike franceze.

Njëkohësisht duhet të fusni në dosje dokumentet tuaja të identitetit (pasaportë, çertifikatë, ose vërtetim konsullate etj), 3 fotografi si dhe çdo dëshmi të mundshme që dëshmon integrimin tuaj në shoqërinë franceze. Këto dëshmi janë shumë të rëndësishme sepse dokumentojnë vullnetin tuaj të sinqertë për t’u bërë pjesë e kësaj shoqërie dhe respektimin e kulturës së saj. Për këtë, mund të paraqesni vërtetime miqsh, fqinjësh, anëtaresim në shoqata të ndryshme, vërtetim pune vullnetare, vërtetime të aktiviteteve shkollore të fëmijëve etj.

Tani e tutje, këtë rol e luan vetëm një dokument, shumë i rëndësishëm për ju ; formulari CERFA 15186-03 të cilin mund ta shkarkoni këtu. Ai mund të mbushet vetëm nga punëdhënësi juaj. Mos hezitoni t’ja shpjegoni rëndësinë e tij.

Këtu mund të gjeni më hollësisht të gjitha kriteret që duhet të plotësoni si dhe dokumentat që duhet të shoqërojnë dosjen tuaj si dhe në cilën prefekturë apo nënprefekturë duhet ta depozitoni. Ju këshilloj që të mos jeni vetëm në këtë proces. Ju keni nevojë për të gjithë ndihmën e mundshme dhe ligji jua lejon këtë hapësirë; pra, të drejtën për të depozituar kërkesën tuaj, e kanë edhe grupet që mbështesin punonjësit pa dokumente, siç janë shoqatat, sindikatat etj.1

Mirë se vini në Sondazh

Ishte ky artikull i dobishëm për ju?

Références :

1 Faqja zyrtare ne internet e administrates franceze. (Janar 2022).

https://www.service-public.fr/particuliers/vosdroits/F16053

2Légifrance.  Conditions d'examen des demandes d'admission au séjour déposées par des ressortissants étrangers en situation irrégulière dans le cadre des dispositions du code de l'entrée et du séjour des étrangers et du droit d'asile.

https://www.legifrance.gouv.fr/download/pdf/circ?id=44486

3Ministére de l’Intérieur. démarches.interieur.gouv.fr (Janvier 2022). Qu’est-ce que la régularisation d’un étranger par le travail ?

https://www.demarches.interieur.gouv.fr/particuliers/qu-est-ce-regularisation-etranger-travail#:~:text=Un%20travailleur%20%C3%A9tranger%2C%20non%20europ%C3%A9en,et%20de%20travail%20en%20France.

Ky artikull është prodhuar si pjesë e projektit "Migracioni, të rinjtë dhe interneti - 2", me mbështetjen financiare të Agjensisë Franceze të Zhvillimit (AFD), të Grand Est Solidarités et Coopérations pour le Développement (GESCOD) si dhe me mbështetjen e shoqatës AMI-PLUS.

Burimet e informacionit citohen dhe, kur jepet një mendim vetjak, kjo gjë angazhon vetëm autoren.

Përmbajtja e artikujve nuk përfshin strukturat e lartpërmendura ”.

1 thought on “Régularisation par le travail : Critères et documents”

  1. Pingback: Sans-papiers en France : Régularisation par le travail - pro-ide

Lini një koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

sqAlbanian
Verified by MonsterInsights